Ligji për studentët e Mjekësisë, Alimehmeti tregon efektin e parë negativ të nismës së qeverisë

0
37
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Me 40% janë ulur regjistrimet e studentëve në Fakultetin e Mjekësisë për vitin e ri akademik dhe problemi për mjekun epidemiolog dhe profesorin Ilir Alimehmeti lidhet me nismën e re ligjore të qeverisë për t’i mbajtur profesionistët e rinj të kësaj fushe për 5 vite në vend pas përfundimit të universitetit.

“Janë ulur me 40% aplikimet për regjistrime në Universitetin e Mjekësisë. Kjo është diçka që kishim shumë vite pa e parë, pasi mjekësia ka qenë dega më e kërkuar. Pritej të ndodhte pas asaj nisme që pati shumë debate dhe ne e kishim bërë të qartë që do t’ia kishim parë efektet. Më tej, pas regjistrimeve, do të shikojmë që niveli i personave të pranuar do të jetë edhe më i ulët në krahasim me vjet. Që do të thotë se po ulim nivelin e mjekëve të ardhshëm për shkak të këtij vendimi të pakonsultuar me grupet e interesit”, tha Alimehmeti në A2CNN.

Sipas tij, ky është vetëm efekti i parë negativ i politikës së aplikuar nga qeveria për të frenuar hemorragjinë e bluzave të bardha. Sipas tij, zgjidhjet do të ishin më të thjeshta dhe më të shpejta nëse qeveria do të kishte pyetur grupet e interesit.

“Në shtator-tetor do të shikojmë një nivel më të ulët në performancën e studentëve. Do të kemi një efekt negativ që do ta vuajnë miliona shqiptarë nga një vendim i pakonsultuar nga një grup njerëzish”, u shpreh profesori i njohur.

Më tej, Alimehmeti theksoi se vendimi i qeverisë për të mbajtur studentët e mjekësisë 5 vite në Shqipëri shkon në linjë me VKM-në e miratuar në 23 nëntor 2022 që shkon drejt privatizimit të universiteteve publike.

“Është shumë e qartë që kjo nuk bëhet për shëndetin e popullatës, përndryshe do të kishte pagash të kënaqshme, që mjekët të qëndronin vetë. Të gjithë paguajmë taksa, kjo ndodh për çfarëdolloj universiteti publik. Siç po themi për mjekët, këtë gjë mund ta shtrijmë edhe te infermierët; teknikët e imazherisë, mamitë, pastaj te ekonomistët… Kjo hap një precedent tepër të rrezikshëm, është kundër parimit të Evropës së bashkuar dhe tregut të lirë”, tha Alimehmeti.

Zjarr Tv Ad