Linjë kontrabande Kosovë-Shqipëri, në pranga faturino dhe pronari i kompanisë së transportit

0
284
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Free road 2”, duke vënë në pranga 4 shtetas që bashkëpunonin për transportimin dhe tregtimin e mallrave kontrabandë nga Kosova për në Shqipëri. Operacioni është kryer nën mbikëqyrjen e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, ndërsa janë sekuestruar edhe mallra të ndryshëm të dyshuar të kontrabanduar.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Free road 2”. Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– Y. F., 18 vjeç, banues në Kosovë, faturino dhe pronari i një linje transporti;

– Sh. S., 31 vjeç, banues në Kosovë, shofer i një linje transporti;

– B. K., 53 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti tregtar;

– E. S., 32 vjeç, banues në Elbasan, administrator i një subjekti tregtar.

Shërbimet e Policisë, në afërsi të pallatit të sportit “Asllan Rusi”, kanë lokalizuar dhe ndaluar autobusin me drejtues shtetasin Sh. S. dhe faturino shtetasin Y. F. Gjatë kontrollit në autobus u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, mallra të dyshuara të futura kontrabandë në Shqipëri, pa pullë fiskale, të cilat do t’i merrnin shtetasit B. K. dhe E. S.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

BalkanWeb

Zjarr Tv Ad