Në fjalën e tij në Kuvend, kryedemokrati Lulzim Basha denoncoi se pasiguria totale në shkolla ka arritur kulmin dhe citoi “pacipësinë me të cilën shprehet ministri i Brendshëm për ngjarjen tragjike në Kavajë”, duke iu referuar rastit të një nxënëse të mitur të përdhunuar nga tetë djem.
Në replikë ndaj tij, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, tha se Basha përdori gishtin tregues si pistoletë butaforike.
“Sa herë ta drejtoni gishtin butaforik ndaj meje, kujto historinë që keni, pasi keni 4 të vrarë në CV tuaj si ministër i Brendshëm, 4 mijë plumba të hedhur nga strukturat që ju keni drejtuar”, u shpreh ministri.
Në replikë ndaj Lleshaj, Basha citoi një shprehje “Kur gishti tregon hënën, budallai tregon gishtin”.
Sipas tij, ministrit i duhet ca kohë që ti mësoj përmndsh “tezat bajate të Edi Ramës”.
“Ata i sollët për ti vrarë dhe mbi të cilët marshuat drejt pushtetit korruptiv. Sa i takon rolit tim si ministër i Brendshëm, je dy herë fatkeq. Se kur të tjerët janë zbythur, ti je i fundit qe vjen dhe mendon se thua gjëra të reja. Kur unë punova dhe ia dola të plotësoja 150 kritere të luftës kundër krimit të organizuar dhe arrita që shqiptarët të lëviznin pa viza në zonën Schengen, zotrote dhe ca të tjerë e kishit mendjen si të krijonit alibitë për Ramën dhe pengesat që i vuri Shqipërisë në procesin e çlirimit të vizave për shqiptarët”, deklaroi Basha.
Ai shtoi se ku është katandisur sot Shqipërinë, “shefi yt” dhe propaganda nuk e ndihmon dot.
“Delja e zezë e Europës, Kolumbia e Europës, bazë e krimit të organizuar, kriminelët në krye të bashkive. Ky është rekordi i ministrisë së Brendshme dhe qeverisë të kapur dhe zhytur në krim. Në një pikë biem dakord: s’kemi krahasim”, tha në mbyllje Lulzim Basha.