Muzeu Kombëtar i Fotografisë“MARUBI”mes 50 muzeve më të mirë evropianë

0
79
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Në mesin e 50 muzeve nga vende si Britania e Madhe, Franca, Holanda e të tjera, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, në Shkodër, është vlerësuar si një nga më të rëndësishmit në Evropë.

Sipas ekspertëve të muzeologjisë, “Marubi” me trashëgiminë e tij të pasur vepron si mjet i ndryshimit shoqëror, duke i bërë njerëzit shtysë kryesore për një ardhme të ndritur

Muzeu i ka të paskaj mundësitë për t’iu dhënë përgjigje nevojave të shoqërisë. Me vizionin për të vepruar si mjet për ndryshime shoqërore, trashëgimia e pasur e dinastisë Marubi shërben për t’i bërë njerëzit forcë shtytëse për një të ardhme të ndritur. Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” është renditur në mesin e 50 muzeve më novatorë në Evropë për dyzet vjetët e fundit. Ai tashmë është pjesë e përmbledhjes “Revisiting Museums of Influence: Four Decades of Innovation and Public Quality in European Museums” nën editimin e autorëve Mark O’Neill, Marlen Mouliou dhe Jette Sandahl.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” përmes një njoftimi të afishuar në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.

Me këtë rast, drejtuesit e tij kanë falënderuar për një vlerësim të tillë stafin, bashkëpunëtorët, vizitorët vendës e të huaj që, sipas tyre, kanë ndihmuar në cilësinë e shërbimeve të ofruara.

“Kjo na motivon çdo ditë e më shumë të jemi më pranë komunitetit artdashës e po ashtu një publiku të ri, të pasionuar e të vëmendshëm ndaj trashëgimisë kulturore të lënë nga brezat e që transmetohet sot përmes formave inovative e bashkëkohore”, thuhet në njoftim.

Lajmit i ka bërë jehonë edhe ministrja e Kulturës në Republikën e Shqipërisë, Elva Margariti, e cila ka falënderuar stafin e “Marubit” për idetë e reja që ndan për publikun.

Ajo ka thënë se pjesë e klasifikimit të muzeve evropianë për qasjen e tyre novatore ndaj trashëgimisë kulturore kanë qenë edhe muze të njohur në Holandë, Francë, Britani të Madhe, Kroaci e Bosnjë.

“Mes këtyre muzeumeve prestigjioze renditet edhe ‘Marubi’, i cili falë vizionit të Qeverisë shqiptare, nuk mbeti në termat e një arkivi, por u shndërrua në një muzeum modern, në përputhje me standardet evropiane”, ka shkruar ministrja Margariti.

Ndryshe, libri “Revisiting Museums of Influence” shpalos një shumësi prej 50 portretesh të muzeve evropianë, që kanë bërë risime të mahnitshme në cilësinë publike gjatë 40 vjetëve.
I botuar nga “Taylor & Francis Ltd”, libri brenda 262 faqeve provon se ekselenca mund të gjendet në muze, pavarësisht subjektit, shkallës apo burimit të financimit.

“I shkruar nga profesionistë të njohur në fushën e muzeologjisë, që kanë vepruar si juri e ‘European Museum of the Year Award’, portretet përshkruajnë se si muzetë kanë, ose duhet të kenë, ndikim në muzetë e tjerë gjithandej botës”, thuhet në abstraktin përshkrues të librit. “Portretet kanë për synim të përkapin momentin kur është identifikuar ky potencial, dhe përshkrimi do të lokalizojë institucionet në historinë më të gjerë të muzeve në Evropë gjatë periudhës, ashtu sikundër edhe duke ravijëzuar temat e përbashkëta të ndryshimit dhe risimit që bëjnë bashkë portretet”.

Ky libër po ashtu është vlerësuar si lexim thelbësor për studentët e muzeologjisë dhe profesionistët e muzeve gjithandej botës për të formësuar muzetë që duan të krijojnë. Lënda e librit do të jetë edhe brenda interesit të studiuesve e studentëve të historisë së artit, arkeologjisë, etnografisë, antropologjisë, studimeve kulturore dhe vizuale, arkitekturës dhe historisë.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” është përfshirë në kapitullin e 48-të të librit me autore profesoreshën e muzeologjisë në Universitetin e Athinës, Marlen Mouliou.

“Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi është muzeu i parë i llojit të tij në Shqipëri dhe ekziston në dy forma: një fizik që është në zemrën e qendrës historike të Shkodrës, dhe një tjetër digjital në web (‘projekti MaViMu’), ku mbi 100 mijë negativë të xhamtë janë digjitalizuar dhe kategorizuar në tema të ndryshme. Themelimi i tij daton në vitin 1970 dhe në formën e tashme është rihapur më 2016. Vizioni i muzeut është të veprojë si mjet i ndryshimit shoqëror, duke përdorur të kaluarën e tij të pasur dhe një shumësi lidhjesh mund t’i bëjë banorët vendës si forcë shtytëse për të një të ardhme më të mirë”, shkruan profesoresha Mouliou. “I ngarkuar me detyrën e mbajtjes gjallë të kujtesës dhe veprës së dinastisë Marubi (tre breza fotografësh), motoja e muzeut është ‘një muze mund të ndryshojë qytetin!’ Synimi i tij për t’u bërë një qendër risimi nëpërmjet praktikës kulturore bëhet në mënyra të ndryshme kreative dhe një numri risimesh të përdorura me qëllim të dhënies së një paradigme të ekselencës për muzetë e tjerë në vend dhe rajon”.

Drejtori i këtij muzeu, Luçjan Bedeni, ka thënë se përfshirja e “Marubit” në këtë botim vjen si rezultat i përzgjedhjes së tij në vitin 2017 si një ndër 45 muzetë më të mirë evropianë.“Gjithashtu kjo vjen edhe si rezultat i realizimit të programeve të ekspozitave, bisedave, edukimit, konservimit, digjitalizimit, e të tjera, si dhe përfshirjes së tij në bashkëpunime më institucione të njohura ndërkombëtare”, ka thënë Bedeni në një prononcim për KOHËN.

Ai, po ashtu, ka bërë me dije se “Marubi” që prej 2016-s është destinacioni kryesor i të huajve që vizitojnë Shkodrën e që, sipas tij, kjo është e vërejtshme edhe nga statistikat e vizitave gjatë këtyre viteve.

Lista e muzeve më të mirë evropianë

Në përmbledhjen e “Revisiting Museums of Influence: Four Decades of Innovation and Public Quality in European Museums”, pos Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, janë përfshirë edhe muze të tillë si: Ironbridge Gorge Museum (Telford); Muzeu i Artit Modern të Louisianas (Kopenhagë); Muzeu Shtetëror i Manastirit Catharine (Ultrecht); Fondacioni i Folklorit Peloponez ‘V. Papandoniou’ (Nafplion); Muzeu i Muzikës i Stockholmit (Stockholm); Muzeu i Bujqësisë dhe Zejtarisë së Kalabrisë (Monterosso); Quarry Bank Mill (Styal); Heureka, Qendra Finlandeze e Shkencës (Vantaa); Muzeu Komunal i Nikozisë – Leventis, (Nikozi); “Vasa Museum” (Stockholm); Alta Museum (Alta); Muzeu i Fshatarit Rumun (Bukuresht); Qendra Kombëtare e Konservimit (Liverpool); Qendra Muzeore e Krasnoyarskut (Krasnoyarsk); Guggenheim Museum (Bilbao); Muzeu Fushor në Flanderi (Ypres); Biblioteka e Chester Beattyt (Dublin), Galeritë Britanike në “Victoria and Albert Museum” (Londër); MARQ Muzeu Arkeologjik i Alicantes (Alicante); La Piscine, (Roubaix); Muzeu në Qiell të Hapur i Holandës (Arnhem); Qendra Gjermane e Emigrimit (Bremerhaven); Muzeu i Portimãos (Portimão); Muzeve i Lidhjeve të Dështuara (Zagreb); Tampere 1918 – Muzeu i Luftës Civile Finlandeze (Tampere); Madinat al-Zahra Museum (Kordobë); Muzeu i varrezave të Glasnevinit (Dublin); Muzeu Arkeologjik i Janinës (Janinë); Muzeu i Liverpoolit (Liverpool); Muzeu Kombëtar i Detarisë (Amsterdam); Muzeu i Pafajësisë (Stamboll); Muzeu Baksi (Jette Sandahl); Memoriali Žanis Lipke (Riga); Rijksmuseum (Amsterdam), MuCEM – Muzeu i Qytetërimit Evropian dhe Mesdhetar (Marsejë); Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe Muzeu i Gjysmëhënës së Kuqe (Gjenevë); The Mary Rose Museum (Portsmouth); Sasso San Gottardo Museum (Gotthard); Qendra e Solidaritetit Evropian (Gdan’sk); Odderøya Museum Harbour (Kristiansand); Muzeu i Benficas FC dhe Portos (Lisbonë); Muzeu i Artit në Yaroslavl (Yaroslavl); Mémorial ACTe, Qendra Karaibeane e Shprehjes dhe Përkujtimi i Tregtisë së Skllevërve dhe Skllavërisë (Guadeloupe); Muzeu i të Parit President të Rusisë Boris Yeltsin (Yekaterinburg); Muzeu i Qytetit të Vjetër (Aarhus); Muzeu i Bashkimit (Lion); Muzeu Silezian (Katowice); Muzeu i Fëmijërisë së Luftës (Sarajevë) dhe Rijksmuseum Boerhaave (Leiden).

Zjarr Tv Ad