“Ndeshja” Basha-Berisha dhe… opozicioni që sakatohet

0
26
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga FRANO KULLI

Fjala ndeshja, për rastin në fjalë, për mua është e, ende vijon të jetë një ndeshje në thonjëza. Ngjan me ndeshjet e trukuara të futbollit, rezultati i të cilave është i paracaktuar. Në qoftë se do të flisnim për një ndeshje kauzash, ajo “nul” do të jetë, ashtu siç ka nisur.

E çmoj si një ndeshje të pavërtetë, sepse ende opinioni publik, po veçanërisht ai opinioni opozitar i shqiptarëve të mbetur këtu (që sipas meje është shumica politike e këtij vendi, sikur të ishim prej së vërteti në një demokraci funksionale) nuk është bindur, besoj unë, se kjo përplasje është një ndeshje e vërtetë, që i tejkalon cicmicet e hatërmbetjeve personale. Ose edhe diçka më tepër, që çedon në sjelljet morale të “djalit plëngprishës”. Kaq është, e shumta. Dhe kaq do të vijojë të jetë dhe asgjë më tepër. Përderisa prijësi Berisha nuk e ka filluar “ndeshjen” e tij me pinjollin politik, me një mea culpa, me një ndjesë, pra, përpara demokratëve në radhë të parë, me të cilët kishte një raport 23-vjeçar besimi deri atëherë. Një ndjesë, e cila mund të fillonte që me përzgjedhjen e tij në 2013 që në krye të Partisë demokratike të ishte z. Lulzim Basha. Sepse, e gjithë karriera e tij e deriatëhershme, që kulmoi me zgjedhjen 10-votëshe kryetar i Bashkisë së Tiranës, ka udhëtuar vetëm mbi supet e prijësit. Mbi kredencialet e tij të pakushtëzuara dhënë nga emri i tij në krye të demokratëve dhe të pushtetit të tyre politik. Por, le ta pezullojmë për një moment arsyetimin. Nëse kjo han diskutim si një zgjedhje e parë, në 2017, kur kishin kaluar 4 vjet dhe dëmi që u solli demokratëve ishte katastrofik. Humbja elektorale edhe më e thellë se ajo e ‘97-ës. Po edhe më shumë se kjo, shpartallimi i strukturës së partisë, duke i fshirë si të mos ishin shtyllat e asaj partie, që në optikën e imtë të demokratëve, por edhe më përtej ishin shtylla ku e ku më solide se vetë z. Basha, zonjën Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi.

Në mos tjetër, për meritën e madhe të figurave të tyre politike të papërlyera me korrupsion. Gjë që do të kishte sens të ndodhte me ministra të qeverive të demokratëve, shkaktarë të vërtetuar e plot ndikim në rrokullisjen e pushtetit të tyre asohere. Në 2013-ën, pra. Dhe kjo, ka ndodh me bekimin e Berishës. Cilido arsyetues me arsye të padëmtuar nuk mund të bindet për të ndryshmen. Sado që, tani, pas fillimit të “ndeshjes”, prijësi Berisha na ka bërë me dije se, në zyrë i paska pas kërkuar dorëheqjen pinjollit të tij. Kurse ne, publiku, jo vetëm nuk e kemi dëgjuar atëherë, po bash të kundërtën po; prijësi e ka mbështetur, ndonëse me një gjuhë disi të drunjtë largimin në mesnatë, ashtu kaçakçe, të dy zëvendësve të tij. Si një vjetërsi e Partisë Demokratike, që duhej t’i hapnin rrugë së resë. Me liderin e ri në krye… Ndërsa të rinj mbeteshin: ende vetë prijësi, pa as më të voglin dyshim, Tritani, po e po, Nishani, gjithashtu që nga gradat e ulëta ushtarake kishte arrit më të lartën e tyre… Po edhe Ruli bie fjala, ministri permanent i lekëve, që në të fundmen herë ishte edhe komisionier i përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë të kësaj partie. Pra, përcaktues i hierarkisë së vlerave. O tempora, o mores!

Megjithatë, ndeshja sa e pavërtetë të duket si përballje kauzash, prapëseprapë e ka një dobi të madhe edhe kështu siç po zhvillohet; si raport i prishur i babait me djalin plëngprishës. Sepse po fillon të tallazitet uji i ndenjur në Partinë Demokratike. Përfaqësuesen politike të opozicionit shqiptar, e cila sot e 8 vjet përjeton teposhtën (tatëpjetën) e trishtë të saj. Dhe jo vetëm të sajën, por edhe tonën. Të demokracisë sonë, të cilën s’po e bëjmë e s’po e bëjmë tash 30 vjet.

Teposhte për të cilën, edhe rivali politik, Kryeministri i Shqipërisë, ka dhënë e jep një dorë të fuqishme. Në shërbim të përkryerjes së të gjithëpushtetshmit në shoqërinë tonë në lëngatë.

Zjarr Tv Ad