Ditën e djeshme në “Fan Club” u tha se Luizi e kishte përdorur sëmundjen dhe më parë për të fituar para. Të ftuar ishin dy noterë të cilët treguan se në vitin 2018 Luizi kishte kërkuar lekë nga Dhoma e Noterisë për probleme shëndetësore dhe kishte përfituar 2 milion lekë të vjetra. Kjo u përcoll te publiku si arsyeja pse atij i ishte hequr licensa e noterit.
Mirëpo duket se kjo nuk është e vërtetë. Nënkryetari i Dhomës Kombëtare të Noterëve, Fatmir Laçej ka sqaruar se intervista e tij ka qenë shumë më e gjatë por nuk e kupton pse është prerë.
Ndër të tjera ai ka treguar arsyen e vërtetë pse i është hequr licensa Luizit, të cilin e ka vlerësuar me fjalët më të mira.
“Të dashur fansa të Luizit… E ndjej të domosdoshme të bëj një sqarim. Qëllimi im në intervisten e dhënë ka qenë pozitiv. Të nxjerr në pah vlerat e Luizit dhe të sqaroj marredhëniet e tij me ushtrimin e profesionit të noterit.
Në intervistën time kam theksuar se në momentin e ndarjes së licencave në Ministrinë e Drejtësisë kam dhënë disa porosi për të gjithë të licensuarit. Të gjithë i pritën mirë por ishte Luizi që më ndaloi dhe më përgëzoi e falenderoi për këshillat e dhëna dhe në sytë e këtij djaloshi unë pashë entuziazmin, pasionin e përgjegjësinë për detyrën e re që po merrte.
Po ashtu kam theksuar se gjatë ushtrimit të detyrës, Luizi si noter nuk ka pasur aspak probleme. Kam sqaruar se Luizit i është hequr licensa nga Ministria e Drejtësisë vetëm për faktin se per një periudhë të përsëritur 60 ditore nuk e ka mbajtur zyrën hapur, gjë e cila është në kundërshtim me nenin 63 të ligjit ” Për Noterinë”.
Po ashtu kam theksuar se në komunitetin tonë ne kemi shquar Luizin si një djalë simpatik që ndjellte gëzim në çdo mjedis tonin. Intervista ime ishte e gjatë me pyetje përgjigje dhe nuk e kuptova përse ishte reduktuar ne 2 – 3 fjali dhe për më tepër në vazhdim të qëndrimit të intervistës së dhënë nga i intervistuari i mëparshëm.
Është e drejtë e redaksisë së televizionit të reduktojë intervistën ashtu siç është e drejta ime ta paraqes atë ashtu siç e kam dhënë”, ka shkruar nënkryetari.