Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj për të tretën herë radhazi, nuk u paraqit në gjykatë për të vazhduar padinë kundër gazetarit Bledian Koka, drejtor informacioni në SYRI TV, të ngritur pas një denoncimi që i është bërë nga emisioni “Piranjat”.
Për gazetarin Koka, ky refuzim ndaj përballjes në gjyq nga kryebashkiaku Veliaj sot, tregon qartë se ishte një tentativë për intimidimin e medias dhe bërë me qëllim në kulmin e fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 14 Majit.
“Që në gjenezë u pa se çfarë qëllimi kishte kjo dhe sot kur duhej të përballej, për një çmenduri juridike, sot pala akuzuese thjesht nuk u paraqit pa shpjegim,” tha Koka nga gjykata.
“Kjo është qartazi një tentativë për intimidimin e e medias, një taktikë elektorale e poshtër në kurriz të medias dhe të fjalës së lirë, sepse që në gjenezë u pa se çfarë qilimi kishte kjo. U bë gjatë fushatës, në kulmin e fushatës; u mbajt e karikuar përgjatë gjithë fushatës dhe sot, që duhet të përballeshim, kur ne kishim përgatitur bashkë me av. Dorian Marlijan një strategji mbrojtjeje për një çmenduri juridike, sot pala akuzuese thjesht nuk u paraqit, pa dhënë asnjë shpjegim. Duket qartë që është një tërheqje, është një konfirmim i asaj që nuk ishte tjetër përveçse një tentativë e fëlliqur intimidimi e pistë nga njerëz që nuk bëjnë gjë tjetër përveç asaj që kanë bërë.”
SKANDALI I INCENERATORËVE/ Bledian Koka i kërkon intervistë, Erion Veliaj e padit në gjykatë!
Më 3 prill 2023, Erion Veliaj, përmes juristit Plarent Ndreca, njoftoi se ndaj gazetarit Bledian Koka dhe televizionit SYRI TV (që sipas Ndrecës quhet televizioni Syri.net) për “publikimin nëpërmjet një emisioni investigativ siç është ai “Piranjat”, një fakt i cili është i tëri i fabrikuar, i falsifikuar, është një “babale” numër dy, praktikisht dhe për këtë arsye, kryetari i bashkisë së Tiranës ka vendosur të bëjë kallëzim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
Pas kësaj deklarate, vet gazetari Bledian Koka reagoi duke e cilësuar padinë së pari si një “medalje nderi” që po i bëhet atij vetë dhe televizionit SYRI TV nga Erion Veliaj, por duket se një tjetër arsye që e ka shtyrë kandidatin e PS-së për bashkinë e Tiranës të ndërmarrë këtë hap ka qenë kërkesa e gazetarit Bledian Koka për një intervistë me 5 pyetje, pas publikimit të një dëshmie-video të shtetasit italian Gabriele Tarroni Longinotti, një biznesmen, ish-ortak i Alberto Presezzi, person kyç në sjelljen në Shqipëri e të paktën njërit nga inceneratorët.
Pyetjet e drejtuara nga Bledian Koka për Erion Veliajn:
1. A e njihni personalisht shtetasin italian Gabrielle Tarroni Longhinotti?
2. Nëse po, a jeni takuar ndonjëherë te restorant Tribe ashtu siç ai deklaron në intervistë?
3. A keni vizituar ndonjëherë zyrat e Bruno Presezzi SPA ashtu siç ai pretendon në intervistë?
4. Nëse po, a keni diskutuar për inceneratorin e Tiranës?
5. Nëse po, a keni dijeni nëse ky incenerator është blerë në Kostancë të Rumanisë?
Pra, në vend që Erion Veliaj t’i përgjigjet pyetjeve që lindën pas një denoncimi publik të një shtetasi italian, si gjithmonë ai ka zgjedhur heshtjen. Por, jo vetëm heshtjen e tij. Ai ka shkuar kësaj here edhe më larg duke tentuar të mbyllë gojën e gazetarit Bledian Koka dhe të SYRI TV e SYRI.net.
POSTIMI I PLOTË I GAZETARIT BLEDIAN KOKA:
“Faleminderit për Medaljen e Nderit!
Sot Erion Veliaj më paska bërë një padi penale mua dhe Syri TV (megjithëse në injorancën totale, portalin Syri.net e quajnë televizion) pas publikimit të një dëshmie me zë e me figurë të një shtetasi italian që ka hedhur dritë për skandalin e gjithëpranuar të inceneratorëve.
Vlerësimi më i madh që mund t’i bëhet një gazetari është të paditet nga një politikan, kështu që nder më të madh Erion Veliaj s’mund të më bënte!
Nga ana tjetër, padia e orës 12.30 nga selia e PS-së vjen fiks 2 orë pasi në postën elektronike të Veliajt kam dërguar këto pyetje pas deklaratave publike të shtetasit italian Gabriele Tarroni Longinotti, një biznesmen, ish-ortak i Alberto Presezzi, person kyç në sjelljen në Shqipëri e të paktën njërit nga inceneratorët!
P.s… Sot për mua dhe Syri TV e Syri.net është një ditë fantastike, më besoni.
“