Partia Demokratike ka çelur ditën e djeshme fushatën elektorale në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë.
Që në orën 19:00 një numër i lartë simpatizantësh janë mbledhur për të hapur kështu zyrtarisht fushatën.
Kreu demokrat Sali Berisha mbërriti në shesh rreth orës 19:20, i shoqëruar nga përfaqësues të lartë të PD-së si dhe Chris LaCivita.
Fushata u hap nga fjala e një mësueseje, një përfaqësues biznesi, një studenteje dhe një fermeri. Më pas në podium u ngjit drejtuesi i fushatës së Partisë Demokratike dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore, Chris LaCivita.
Ish-këshilltari i Trump deklaroi se socialistët, ashtu si në Amerikë nuk do të mund t’i mbyllin gojën opozitës, dhe ftoi të pranishmit që të votojnë Berishën nëse duan rikthimin e shpresës.
“Kush është gati ta bëjë Shqipërinë e Madhe. Në 2024 në SHBA, socialistët u përpoqën teë burgosin Trump, por dështuan. Në 2025, këtu në Shqipëri, socialistët duan të burgosin opozitën e tyre dhe do të dështojnë. Përse? Sepse nuk kanë të çfarë të thonë për 12 vitet e fundit. 12 vjet krime? 12 vjet drogë. Janë 12 vjet dështime ekonomike. Përse të votosh një parti që ka shkaktuar të gjitha problemet. Votoni Berishën. Ktheni shpresën”, tha Chris Lacivita.
Pas Lacivitës, fjalën e mori kryedemokrati, i cili hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe prezantoi shkurtimisht programin e qeverisjes, në rast fitoreje.
Pjesë nga fjala e Berishës:
“Shqipëria Madhështore është Shqipëria e shpirtit tuaj. Është Shqipëria e dashurisë tuaj për të. E dashurisë për familjen. E atdhetarisë tuaj. E idealeve të lirisë. Imagjinoni për një moment krahun tjetër me patronazhistë mëkatarë. Imagjinoni Edi Ramën që ka në krah Erion Veliajn, Çyrbjen, Ilir Beqajn, por ka në krah edhe McGonigalin. E shumë e presin. Edi Rama, sonte e ka të vështirë natën. Kjo është një natë ndër më të veçantat sepse sonte ne vijmë këtu për të nisur betejën tonë, betejën e fitores, betejën e Shqipërisë Madhështore. Betejë në të cilën Shqipëria ngrihet përsëri. Këto vite, e keqja e vuri para vendin tonë. Këto vite, 12 vite ishin për Shqipërinë vite të shkretimit të saj nga bijtë dhe bijat, ishin vitet e varfërimit të saj, ishin vite në të cilat regjimi i narkosve të Tiranës dhe mafia ndërkombëtare bëri gjithçka që të fshijë nga kujtesa e këtij kombi veprën tuaj të pavdekshme, Shqipërinë pluraliste. Bëri gjithçka të fshijë nga historia e këtij kombi arritjet madhore në fushën e lirisë. Bëri gjithçka të fshijë nga arkivat e këtij kombi, kontributin e secilit prej jush për dinjitetin kombëtar dhe lirinë kombëtare. Bëri gjithçka që ju të mos kishit as emër, as flamur. Po ja ku jemi sot, me flamurin tonë më krenar se kurrë me ju. Ja ku jemi sot, të bashkuar si asnjëherë. Ja ku jemi sot, të ngritur si Feniksi nga hiri në zenit për të shkuar drejt fitores. Ne mblidhemi sonte me një vështrim të ri për Shqipërinë. Me një betim solemn para saj për ta nxjerrë ata nga kthetrat e këtij regjimi. Për ta rikthyer atë, për të rikthyer tek ajo projektin e ëndrrave të të rinjve të saj, djemve dhe vajzave, ëndrrave më të bukura.
Këto ditë, këtë muaj, në këtë fushatë, ndeshen dy botë, ndeshen dy filozofi, ndeshen dy projekte. Në njërën anë janë ata të cilët e grabitën dhe e plaçkitën Shqipërinë dhe shqiptarët sa asnjë pushtim tjetër në histori. Shqipëria është e sëmurë. Kjo sëmundje quhet Edi Rama. Kjo sëmundje quhet Edi Rama. Kjo sëmundje quhet Edi Rama. I tmerruar nga e vërteta, i tmerruar nga transparenca, ka dy muaj që është ngujuar në zyrë, ka dy muaj që flet me vete, ka dy muaj që ka frikë. Por miq, u përpoq me çdo mënyrë, u përpoq me gjithçka, me arrestime, me korrupsion, me përçarje, me çdo gjë, që Shqipëria të mos kishte opozitë.
Ja ku jemi sot, më të fuqishëm se kurrë. Edi Rama vazhdon avazin e vjetër. Edi Rama vazhdon mashtrime, shpifje dhe trillime.
Por për 12 vite shqiptarëve nuk u tregon dot një gjë, një vepër, sepse kudo ka vjedhur, ka vjedhur dhe vetëm ka vjedhur.
Lufta e tij me PD-në, trashëgiminë e saj, është lufta e Don Kishotit me mullinjtë e erës.
Çfarëdo që të thotë dhe çfarëdo që të bëjë, kjo parti është partia e pluralizmit politik.
Ky flamur është flamuri i pluralizmit politikë. Çfarëdo që të thotë dhe çfarëdo që të bëjë, kjo parti është partia që përmbysi diktaturën komuniste, vendosi demokracinë dhe ekonominë e tregut. Çfarëdo që të thotë dhe çfarëdo që të bëjë, kjo parti është parti që anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Europës, në NATO dhe nxori Shqipërinë nga terri dhe errësira. Është partia që çau malet dhe bashkoi kombin me Rrugën e Kombit. Është partia që dyfishoi rrogat dhe pensionet dhe e nxori Shqipërinë nga humnera e varfërisë në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Kjo parti është partia që liberalizoi vizat e shqiptarëve, suksesin e tyre të jetës, i nxori nga izolimi evropian”, tha Berisha.