Nga Bujar Leskaj.
Shqipëria nuk është gati për të dhënë ‘pasaporta të arta’, akordimin e nënshtetësisë shqiptare për sipërmarrës të huaj që e kërkojnë dhe janë gati të paguajnë. Shembujt e Bullgarisë dhe Rumanisë në kohën e aderimit të tyre në Bashkimin Evropian dhe abuzimet e bëra me dhënien e nënshtetësisë në këmbim të parave, duke përfituar elementë me të kaluar kriminale, duhet të shërbejnë si mësim për ne.
Bashkimi Europian ka shprehur rezerva lidhur me aplikimin e pasaportës së artë. E pyetur nga një media shqiptare, zonja Ana Pisonese zëdhënëse e Komisionit Europian, u shpreh se këto projekte rrezikojnë përfshirjen e krimit të organizuar dhe skemat e pastrimit të parave.
“Rreziqet përfshijnë infiltrimin e krimi të organizuar, pastrimit të parave, evazionit fiskal dhe korrupsioni,t përmes aplikantëve të mundshëm që vijnë nga shtete të botës së tretë. Komisioni i konsideron këto skema në kundërshtim me ligjin e BE-së dhe ka nisur procedurat e shkeljes kundër shteteve anëtare në vitin 2020.
Për shkak të perspektivës së ardhshme të anëtarësimit në Bashkimin Europian, shtetësia e vendeve kandidate mund të bëhet tërheqëse për investitorët. Kjo gjë po ndodh tashmë gjatë proceseve të anëtarësimit, teksa shtetet kandidate zhvillojnë marrëdhënie më të ngushta me BE-në dhe mund t’i japin të drejtë shtetasve të tyre të hyjnë në zonën Shengen, pa nevojë për vizë për periudha të shkurtra kohore”, theksoi ajo.
Zëdhënësja e KE-së ka të drejtë kur cilëson se skema të tilla mund të rrezikojnë interesat e vendit, ndërsa thekson se Bashkimi Europian po monitoron qëndrimet e të gjithë vendeve kandidate për në BE, lidhur me procedurat e pasaportave.
Tek ne, sistemi i drejtësisë dhe institucionet përgjegjëse publike nuk mund të kontrollojnë një proces të tillë. Me sektin Rama në krye, ne nuk jemi gati në forcimin e shtetit ligjor, që të kemi mundësi t’i kontrollojmë të gjitha kërkesat dhe të shmangim pastrimin e parave apo korrupsionin.
Dhënia me koncesion kompanive të huaja të procedurës së akordimit të pasaportave shqiptare për sipërmarrës të huaj që e kërkojnë, kundrejt pagesës, cenon sigurinë kombëtare. Ajo lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me të dhëna sensitive të shqiptarëve. Në këto raste, qeveria shqiptare nuk duhet të japë shërbime të tilla me koncesion. Këto të dhëna duhet të ruhen nga shteti shqiptar.