“Më thanë është sezon ullinjsh. Hajde dhe do të paguajmë. I lashë në shtëpi fëmijët dhe burrin dhe pazari për të vjelur ullinj ishte shumë i mirë.”
Kështu e nis rrëfimin njëra nga 95 gratë e gjetura në fermën e kanabisit në fshatin Rërëz, Berat. Gruaja e moshës 48 vjeç e cila jeton në një fshat të Tiranës, u lidh me “pronarët” e ullinjve të Beratit përmes fqinjëve të saj, që u ishte bërë e njëjta ofertë.
Dy prej tyre që ju gjetën sasira parash në trup me shumë përmbi 3 milionë lekë të vjetra, u prangosën, ndryshe nga punëtoret e hashashit që do të hetohen vetëm për mos kallzim krimi.
Policia deklaroi se D.M nga një fshat i Tiranës e moshës 43 vjeç dhe I.M, familjare me të parën, u prangosën për prodhim dhe shitje të narkotikëve, si të dyshuara se kanë patur informacion dhe se kanë patur po ashtu lidhje me kutivuesin kryesor.
Megjithatë hetimi është ende në dinamikë dhe ndonëse janë administruar deklaratat e secilit, do të vlerësohen në përputhje me provat materiale.
Secila prej tyre ka dhënë një dëshmi të detajuar duke treguar edhe punëdhënëset që i mashtruan. Megjithëse policia dhe prokuroria e Beratit është e bindur se realisht secila nga gratë ndonëse u kthyen në shtëpi, kishin dijeni për punën që do të kryenin.
“Në serat e përshtatura me tela ku ishin varur për t’u tharë vargje me kanabis, u gjetën dhjetëra copë gërshërë që përdoren për të qethur dhe pastruar nga gjethet bohçet e kanabis sativës. Kjo është një punë rraskapitëse dhe dyshojmë që gratë punonin me rotacion, duke qenë se kjo është një punë e rëndë dhe sfilistëse, shto edhe erën e fortë të hashashit e cila ndikon në dhimbjen e kokës”, deklaron njëri nga oficerët e policisë kriminale, i cili kqyri vendngjarjen.
Opearacioni i koduar ‘Befasia’ u finalizua me 870 kliogramë lëndë narkotike, tre armë zjarri. Droga po paketohej në 700 arka dhe një pjesë e saj gjendej në tetë thasë – përshkruan policia antidrogë në përmbyllje të bastisjes së fabrikës me hashash të vendosur në sera që dikur përdoreshin për prodhime të fshatit.
Roje droge, trafikantë dhe kultivues
Policia pretendon se mes të arrestuarve 9 janë meshkuj dhe shumica nuk janë banorë në Berat po janë nga veriu i vendit.
I dyshuari kryesor për autoritetet e rendit shtetasi, H.D ka të dhëna se mund ta ketë marrë ambientin me qira nga pronarët e truallit të cilët i përdornin serat për të kultivuar kryesisht perime.
S.B është i moshës 27 vjeç, nga ishull Lezhë dhe ndaj tij rëndon edhe akuza e prodhimit të armëve së bashku me atë të prodhim narkotikësh. Por policia nuk ka identifikuar ende se cilët prej tyre ishin rojet dhe cilët punonin në krasitje droge dhe për këtë arsye të gjithë burrave u janë ngarkuar dhe akuzat e armëmbajtjes pa leje si J.U nga Kopliku, B. Xh nga Nikla, E.M të cilit iu arestua edhe e ëma, M. D i dyshuar si punëtor është nga Kruja dhe S.L nga Malësia e Madhe.
Ambjenti sipas dosjes ishte ndarë në katër pjesë dhe i përkiste shtetasit H.D i cili ia dha me qira banorit të fshatit Drenovicë, bashkia Dimal.
Mes armatimit të bllokuar rezultojnë një automatik,135 fishekë, 2 pistoleta që mbaheshin për t’u ruajtur nga sulme të mundshme për të vjedhur prodhimin.
Aktualisht në kërkim vijon vetëm një shtetas i cili është i moshës 19 vjeç dhe ka inicialet S.C. Ai akuzohet për prodhim dhe shitje narkotikësh.
/GazetaSi