“PD është më keq se një vit më parë”, Basha: Unë u tërhoqa që të mos kishte përçarje, por Berisha vijoi sulmet ndaj atyre që s’mendonin si ai

0
38
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ish-kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha vijon takimet me strukturat e PD në qytete. Pasditen e djeshme ai ka zhvilluar një takim me degën e PD në Elbasan, duke ndarë me ta shqetësimet mbi problemet brenda partisë.

Përmes një postimi në Facebook, ish-kryedemokrati thotë se PD sot është më keq se një vit më parë, kur ai u largua nga drejtimi i kësaj force politike.

Ai thotë se pavarësisht se u tërhoq nga kreu i PD-së për të bërë të mundur që të ketë një zgjidhje të problemeve brenda demokratëve, Berisha i cili përfaqëson palën tjetër, vijoi luftën ndaj çdokujt që mendonte ndryshe.

Teksa shprehet se nuk duhet të ketë më përçarje mes demokratëve, Basha ka theksuar se një gjë e tillë forcon kundërshtarin politik, në këtë rast qeverinë e kryeministrit Edi Rama.

Postimi i plotë i Bashës:

E pranova me kënaqësi ftesën nga miq dhe kontributorë të PD-së në Elbasan, për një bashkëbisedim të hapur mbi shqetësimet që të gjithë si demokratë bashkëndajnë sot.

Zgjedhjet e 14 majit dëshmuan ndër të tjera dhe efektin e luftës brenda nesh, vendosjen e interesave personale mbi ato të demokratëve dhe shqiptarëve. Pikërisht që kjo mos të ndodhte, unë bëra një hap pas një vit më parë. Por fatkeqësisht pala tjetër jo vetëm që s’u tërhoq, por udhëhoqi një luftë të paprincipt, bazuar në sharje, shpifje, linçime ndaj çdokujt që nuk mendonte si ai. Dhe rezultati, sot jemi shumë më keq se një vit më parë.

Ballafaqimi mes nesh është i domosdoshëm për të përcaktuar rrugëtimin e familjes sonë politike.

Koha është e vërteta më e madhe. Dhe siç është parë deri më sot, ajo ka nxjerrë në dritë të gjitha gënjeshtrat, mashtrimet. Unë kam heshtur, jo se s’kam çfarë të them, qoftë për personin të cilin e njoh mirë, qoftë për sulmet ndaj meje. Por siç e kam thënë vazhdimisht dhe siç u faktua, lufta mes nesh forcon vetëm kundërshtarin tonë politik.

Sot, përballë këtij udhëkryqi, ne kemi në dorë të zgjedhim nëse do të vazhdojmë të mbetemi të bllokuar në vendnumëro, të merremi me sulme-kundërsulme mes njëri-tjetrit, apo të punojmë të gjithë bashkë për ndërtimin e një alternative konkurruese, në të cilën të reflektohen shpresat e shqiptarëve për ndryshim.

Ne duhet të punojmë t’u japim mundësi shqiptarëve të zgjedhin ata, përmes hapjes së listave. Ne duhet t’i mbyllim çdo shteg politikës së përbaltjes, përmes vettingut të politikanëve. Ne duhet të ndalim abuzimin e kryeministrit të vendit, duke i kufizuar mandatin. Duhet të zhbëjmë të keqën që nisi me ndryshimet kushtetuese të 2008-ës dhe t’u japim fuqi qytetarëve!

Zjarr Tv Ad