PD, kërkesë KPK: Verifikoni kamerat e sigurisë për Donika Prelën dhe dosjen ‘339’

0
14
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

“Rasti i drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela po konfirmon se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është një vegël në duart e pushtetit për të mbajtur në sistem prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar”.

Kështu tha sot deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, i cili në një dalje për mediat deklaroi se në dosjen e Donika Prelës ka dokumente që provojnë se miliona lekë nga pasuria e saj janë të pajustifikuar, se bashkëshorti i saj dyshohet për pastrim parash dhe se, në rastin më të mirë, ai ka punuar në të zezë.

Për deputetin demokrat Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit bëri një përpjekje të lavdërueshme për të hedhur dritë mbi aktivitetin e paligjshëm të Donika Prelës, por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është urdhëruar të mbajë në sistem një tjetër prokurore të korruptuar, të shantazhueshme nga politika dhe nga bandat.

Sipas tij, përpara se të japë vendimin për Donika Prelën, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka për detyrë të verifikojë dy informacione të reja për drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

“Së pari, të konfirmojë që Donika Prela, në konflikt të hapur interesi, është takuar gjatë periudhës që ishte nën veting me anëtaren e trupës së vetingut, Valbona Sanxhaktari. Për lehtësi pune, i sugjerojmë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të kërkojë kamerat e Sigurisë së Prokurorisë së Krimeve të Rënda në muajt nëntor dhjetor. Së dyti, organet e vetingut duhet t’i japin përgjigje pyetjes: a është Donika Prela pjesë e dosjes 339, e kapur në përgjim me bandën e Avdyljave duke biseduar me kreun e bandës Astrit Avdylaj?”, u shpreh Alibeaj.

Ai shtoi se përgjimet e dosjes 339 janë bërë në kohën kur Donika Prela drejtonte Prokurorinë e Durrësit dhe Astrit Avdylaj u arrestua për armëmbajtje pa leje, por më pas u lirua si i pafajshëm.

Në këtë linjë tha se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përgjegjësinë të bëjë verifikim të plotë për drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi një prokuror i korruptuar dhe me lidhje me krimin e organizuar nuk mund të japë drejtësi.

Alibeaj e mbylli qëndrimin e tij duke thënë se organet e vetingut kanë përgjegjësinë të mos lejojnë që një prokurore me pasuri të pajustifikuar, e dyshuar për lidhje me krimin e organizuar të drejtojë strukturat më të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Zjarr Tv Ad