Partia Demokratike edhe ditën e sotme ka vijuar me akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama. Me anë të një deklarate mga selia blu, deputetja demokrate, Dhurata Çupi, ka kërkuar nisjen e hetimeve ndaj kryeministrit Rama për fshehje të pasurisë, duke iu referuar shtëpisë në Surrel.
“Partia Demokratike ka provuar me dokumenta zyrtarë se Edi Rama nuk e justifikon vlerën e deklaruar prej 400 milionë lekësh për vilën e Surrelit. Kursimet e deklaruara të kryeministrit dhe të gruas së tij janë 300 milionë më pak se vlera e deklaruar për vilën superluksoze. Faktet janë pubike. Në vitin 2011 Edi dhe Linda Rama kanë deklaruar se, të dy bashkë, zotërojnë rreth 80 milionë lekë. Në vitin 2012, Edi Rama ndërton vilën e tij në Surrel.
Në vitin 2013, para marrjes së detyrës së kryeministrit, Edi Rama deklaron se ka shpenzuar 400 milion lekë për ndërtimin e vilës, pra plot 5 herë më shumë sesa kursimet prej 80 milionë lekë që kishte deklaruar gjendje çifti Rama më 2011-ën. Është e pashpjegueshme sesi në 2013-ën, pasi ndërtoi vilën, pasuria e deklaruar e çiftit kryeministror rezulton të jetë shtuar, duke deklaruar gjendje 92 milionë lekë. Është koha që Inspektoriati i Pasurive të nisë verifikimin e burimit për të paktën 300 milionë lekë që mungojnë në deklaratën e pasurisë së kryeminstrit të Shqipërisë. Një verifikim serioz dhe I pavarur, padyshim që do të konfirmojë jo vetëm mospërputhjen e deklarimit të të ardhurave të kryeministrit dhe fshehjen e tyre me qindra milionë lekë, por do të zbulojë se vila luksoze e Edi Ramës, kushton jo më pak se 2 milion euro.
Në rastin e Edi Ramës pastrimi i parave me vilën e tij në Surrel është një nga veprat penale, që do të ishte zbuluar nga prokuroria, nëse ajo nuk do të kontrollohej nga Edi Rama. Mashtrimi me pasurinë dhe ndërtimi i vilës luksoze të Surrelit me qindra milionë lekë të pajustifikuara është një nga arsyet kryesore pse Edi Rama refuzoi vetingun e politikanëve”, u shpreh ajo.