Trupi kriminal prej 36 personash të arrestuar nga operacioni “Rruga e Gabuar” veç trafikut të klandestinëve kishin shtrirë aktivitetin edhe brenda organizatave kriminale apo tek personat me precedent penal.
Ata u siguronin të shumëkërkuarve dokumente të falsifikuara dhe i ndihmonin ata që të kalonin kufirin me qëllim që ti shpëtonin drejtësisë. Një nga rastet e dokumentuara, është edhe ai i pajisjes me pasaportë të re dhe dhënien e ndihmës për të kaluar kufirin Hajri Seferit, i cili është një nga personat kyç të trafikut të drogës, pjesë e Bandës së Shijakut.
Nga hetimet e operacionit “Volvo 4” Hajri Seferi ishte pikërisht personi që krijonte lidhjet mes organizatave kriminale dhe ndërmjetësonte trafikun e drogës mes Bandës së Shijakut dhe bandave të tjera që e transportonin atë jashtë vendit. Seferi kishte si bashkëpunëtor edhe efektivë policie që dekonspironin operacionet sa herë ai ishte në rrezik.
Por këtë herë emri i Hajri Seferit del në përgjimet e operacionit “Rruga e Gabuar”, ku u arrestuan 36 persona. Sipas prokurorisë, grupi kriminal prej 36 personash në bashkëpunim me Elmas Bilbilin, efektiv policie në pikën kufitare të Kakavijës i jepnin ndihmë për kalim kufiri personave me problem apo me precedent penal, kundrejt shpërblimeve të ndryshme, që nga përgjimet faktohet se shkojnë deri në 2 mijë euro.
Sipas prokurorisë, një nga të arrestuarit, Dritan Gramozi në bashkëpunim me personat e tjerë të arrestuar kanë pajisur me pasaportë të falsifikuar shtetasin Hajri Seferi, në kohën që ky ishte në përgjim në bazë të hetimit për llogari të dosjes 339. Gjithashtu provohet se kjo organizatë nuk ka ndihmuar vetëm këtë të kërkuar, por në kohë të ndryshme ata kanë ndihmuar për kalim kufiri si nga pikat doganore por edhe nga vija e gjebërt persona të ndryshëm, me probleme me ligjit apo që kishin shkelur afatet e Shengenit.
Këto shërbime ata i kryenin për pagesa nga 500 deri në 1500 euro, kjo në varësi të destinacionit. Nga një përgjim telefonik mes personave nën hetim, Aleksia Kamaj dhe një personi tjetër të pa specifikuar rezulton se për një kalim të paligjshëm të kufirit nga Shqipëria në Greqi mjaftonte pagesa prej 600 eurosh.