Ndodh çdo ditë, e shohim në çdo ambjent, në çdo sektor: të varfrit, që nuk janë më të tillë, ‘shkelin’ mbi të varfrit e tjerë.
Është e trishtueshme të shohësh një gjë të tillë, aty ku pritet që të ketë më shumë mirëkuptim, shpirt bashkëpunimi, ndjeshmëri.
Ky është një reflektim për të cilin mendoj shpesh: Nëse njeriu ngjit një ose më shumë shkallë në shoqëri, harron shumë shpejt vitet e kaluara në varfëri.
Harrojnë shumë shpejt që vetë ata, në një kohë të largët, kanë përjetuar të njëjtin përçmim të cilin kanë sot për të varfrit.
Kam parë njerëz të lënë lagje shumë të varfra dhe të kritikojnë me zell degradimin e personave që jetojnë ende atje.
I kam dëgjuar më pas të flasin keq për ata që ishin dikur “fqinjët e tyre të dashur”.
Kam parë një burrë, i cili pasi kishte blerë makinën e tij të parë me 60 këste, qeshte me ata që prisnin autobusin nën shi.
Atë autobus, që dikur e prisnin edhe ata vetë për të shkuar çdo ditë në punë. Edhe në ditët me shi. Dhe asokohe nuk qeshnin aspak.
Ka njerëz që ankohen nga sjellja autoritare dhe përçmuese e shefit të tyre, por që nuk hezitojnë aspak të trajtojnë në mënyrë shumë të pasjellshme ata që kanë një pozicion më të ulët.
Ka burra të rinj në moshë, që pasi kanë kursyer ca para’ për të nxjerrë për darkë të dashurën e tyre, ndihen të pasur për një natë, por ndjejnë se duhet të trajtojnë me arrogancë kamarierin.
Është edhe mjeku me origjinë nga familjet e thjeshta që ka harruar sakrificat që kanë bërë prindërit e tij, në mënyrë që ai të studionte dhe ka harruar edhe sakrificat e veta për të çuar deri në fund universitetin. Sot sheh nga koka tek këmbët të sëmurët e thjeshtë dhe familjarët e tyre.
Është e trishtueshme dhe e pashpjegueshme të shohësh të pasur, që kanë lindur të tillë, të trajtojnë njerëzit si persona të ‘dorës së dytë’, por të shohësh njerëz që e kanë njohur varfërinë, të sillen me arrogancë dhe prepotencë, është diçka që nuk do e kuptoj dot kurrë.
Duket sikur varfanjaku duhet të sillet si homolog i atij që ka arritur të përmirësojë pozitat.
E të mendosh që kur ishin të varfër janë shfytëzuar dhe keqtrajtuar. Kanë eksperimentuar përjashtimin dhe paragjykimin kundër varfërisë në lëkurën e tyre.
Me shumë mundësi, kanë menduar gjithmonë se kushdo që ndodhet ‘sipër tyre’, duhet të shkelë mbi ata që janë poshtë dhe në momentin që arritën të ngjisin ndonjë shkallë, kanë nisur të bëjnë të njëjtën gjë: “të shkelin mbi ata që janë poshtë tyre”.
Është një shpjegim bindës, por pa mirësi në sjellje. Nuk e justifikon.
Nuk do arrij dot kurrë të kuptoj dhe dënoj çdo akt që mbështet superioritetin apo inferioritetin e dikujt. Kushdo qoftë ai!
Respekti dhe dinjiteti i çdokujt janë të drejta të paprekshme!!!
Cila shoqëri mund të përkufizohet si moderne dhe civile, kur këto të drejta maten me atë që ke në pronësi?
Kujt i shërben të flasë 4 gjuhë kur nuk di të shkëmbejë përshëndetje me atë që merr ashensorin bashkë me ne?
Kujt i shërben të grumbullojë nëse nuk jemi të aftë të ndajmë dhe të ndjejmë atë kënaqësi dhe krenari që vetëm bujaria di ta japë?
Pasuria nuk të bën më të mirë se të tjerët.
Superioriteti i vërtetë nuk mund të fitohet, por lind brenda nesh.
Një njeri vërtet superior e di se madhështia e njeriut nuk matet në bazë të suksesit dhe pasurisë, por në varësi të akteve që kyren dhe fisnikërisë shpirtërore të tij.
Po ju lë me një mendim….mund të duket si një lloj paralajmërimi, por e quaj të rëndësishëm, për t’u mbajtur mend:
“E keqja lëshon rrënjë kur njeriu nis të mendojë se është më i mirë se tjetri”