Piktori Avni Delvina sjell në 46 tablo Donald Trump-in

0
39

Piktori Avni Delvina çel ekspozitën me 46 tablo për Donald Trump në Muzeun Historik Kombëtar. Artisti, i cili prej 30 vitesh jeton dhe punon në Itali, sjell nëpërmjet fotomontazhit ndikimin e politikave social-politike të Trump. Ndërsa, pas mbylljes së ekspozitës Delvina do t’i dhurojë Presidentit të SHBA-së, një album.

“Në kohën e gënjeshtrave universale të thuash të vërtetën është një akt revolucionar”.

Është kjo shprehje e George Orëell-it, novelistit që frymëzon piktorin Avni Delvina në punën e tij. Janë 46 tablo, të cilat kanë në qendër veprimet edhe ndikimet social-politike të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, që prezantohen në ekspozitën e çelur në Muzeun Historik Kombëtar.  Delvina të vërtetën e tij e sjell nëpërmjet mjeteve të ndryshme artistike. Artisti nëpërmjet fotomontazhit, të cilin e pasuron me linja grafike i japin veprës një personalitet artistik, duke përcjellë emocionet tek artdashësit. Ai tregon arsyet se përse zgjodhi që në qendër të kësaj ekspozite të oshte figura e Donald Trump,

Avni Delvina, piktor

“Përveçse simpatisë time personale që kam pasur për republikanët  amerikanë, duke nisur nga Xhorxh Bush, i ati i tij, deri tek Donald Trump. Në këtë rast ajo që skatoi tek unë idenë e kësaj ekspozite ishte organizmi i orkestruar si shtypi botëror pas fitores së Donald Trump. Jemi në demokraci, fiton apo humbet njëri, kur gjërat bëhen të ekzagjeruara duken diçka e tepërt. Kjo lloj doze bëri që tek unë të lind diçka, që unë të bëj diçka kundër këtij orkestrimi. Kështu lindi ideja e bërjes së një albumi, që do ja dërgoj pas kësaj ekspozite Donald Trump”.

 

Kuratori i ekspozitës, Ardian Devolli, i konsideron veprat e kësaj ekspozite shumë të bukura. Për të tablo si “Dështimi i Nostradamusit”, “Impresione amerikane”, “Beteja për gjykatën supreme”, “Forca e Trump në Financë”, “Barka e Noes”, “I vetëm kundër të gjithëve”, “Ftohtë në Tiranë”, “Muaika ka ndryshuar”, “Hollivudi kundër Trump”, Mikelanxhelo pikturon ushtrinë e Kosovës, “Mbase një karl Maks i shekullit 21”, “trishtuar” edhe shumë të tjera kanë në qendër simbolikën, alegorinë dhe paradoksin.

 

Ardian Devolli, kuratori i ekspozitës

“Unë e shikoj tablonë si vepër artistike, pavarësisht se mund të trajtojë probleme poltike dhe sociale, mbi të gjithë duhet që të ketë një zgjidhje artistike.  Ky është një lloj i ri arti, midis gazetarisë, reportazhit, i sinkronizuar në vepër arti, që do të thotë se ka një vepër më të konçentuar të mendimit. Nga kjo pikëpamje autori ka një zgjuarsi shumë të madhe për gjetjen e subjektit. Këto janë vepra, që ka shumë rëndësi mënyra se si përzgjidhet subjekti për të dhënë idenë. Për këtë shumë vepra i konsideroj një arritje të madhe”.

Avni Delvina rrjedh nga një familje me tradita historike edhe patriotike. Për këtë na tregon se ndonëse i larguar para 30 vitesh në Itali lidhjet me Shqipërinë janë shumë të forta

“Sot jemi shumë afër, edhe si distancë me një orë nga Italia vij më shpejt këtu, sesa shkoj në Vlorë me makinë. Shqipëria është vendi im, e ndiej më natyrshëm. Unë ika për revoltë, në moshën 31-vjeçare, jo për të gjetur diçka më të mirë edhe më komode. Ika për të thyer dhunën edhe muret e atij regjimi.  Kontaktet e mia me Shqipërinë do të jenë në mënyrë të vazhdueshme. Fëmijët e mi flasin shumë mirë gjuhën shqipe. Shqipëria është e përditshmja ime. Në Shqipëri kur unë vë këmbën ndihem shumë më mirë, megjithë problematikat e njëpasnjëshme, që këtu ndeshesh”, tha Avni Delvina . Ekspozita do të qëndroj hapur në Muzeun Historik Kombëtar, deri në datë 23 shkurt.