Politikania e njohur, Lajla Pernaska, ishte mëngjesin e sotëm e ftuar në emisionin “Wake Up” për të folur për ‘kodin e etikës, sa i rëndësishëm është në vendin e punës”.
Pernaska u shpreh se për aq kohë sa ‘je në një ambient pune si në institucionet shtetërore ashtu edhe private, duhet të respektosh kodin e veshjes’.
“Për sa kohë ti je në ambientet e asaj pune, në radhë të parë institucionet shtetërore por jo vetëm, edhe institucionet private, kompanitë private, patjetër që kanë ato limitet bazë të tyre edhe të kodit të veshjes. E pastaj mbas atij orari je i lirë të mbash veshjen që ti do. Kështu që unë mendoj se brenda institucionit, qoftë shtetëror, në radhë të parë shtetëror, qoftë privat, duhet të respektohet ai kod që është i mirëpritur dhe i mirëpranuar nga shumica e njerëzve”, tha ajo.
Madje politikania e njohur i bëri një thirrje edhe kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, që të ndalojë zhaponetë dhe dekoltetë në parlament.
Sipas Pernaskës, nëse shikoni një grua me zhapone ose minifund në Kuvend, me siguri ajo ka ngatërruar vendin e punës”
“Në qoftë se do i referoheshim politikës në Shqipëri, unë kam vërejtjet e mia, sepse jam nga ato persona që kam bërë beteja të forta për rritjen e përfaqësimit të grave në politikë. Kam luftuar shumë, kam besuar shumë që rritja e numrit të grave në politikë dhe vendimmarrje do të ndryshojë në tërësi politikën.
Në raport me paraqitjen, me kodin e veshjes, sidomos tani që ka shumë femra që nga parlamenti, qeveria, të tërheq vëmendje dhe bie në sy. Dhe unë mendoj se zonja kryetare e Kuvendit, Nikolla, ka punë për të bërë. Sepse shkelet shpesh kodi i veshjes. Në kuptimin që zhaponeja, dekolteja dhe minifundi, s’ka lidhje fare po fare me institucionin, as Kuvendin e as qeverinë. Domethënë në qoftë se shihni një femër që në sallën e Kuvendit është me zhapone, dekolte, me veshje të ekspozuar, është e sigurt që ka ngatërruar vendin e punës. Kaq e thjeshtë është.
Ato janë mënyra paraqitje që nuk kanë lidhje as me seriozen dhe as autoritetin, as me ushtrimin e një pushteti të caktuar. Zonja Nikolla duket se nuk është aq e vëmendshme për të konstatuar në sallën e Kuvendit se ku është shkelur. Roli i saj ka ende shumë punë për t’u përmbushur. Ajo vetë është shumë në rregull me aq sa e kam ndjekur unë”, tha Lajla Pernaska.