Prokurori i Antimafias italiane, Federico Cafiero De Raho, thotë se lufta kundër krimit të organizuar përbën shtyllën themelore në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pasi këtë sipas tij, e thotë bazuar në eksperiencën italiane.
Ai deklaroi se krimi i organizuar shqiptar është i njohur në trafikun e drogës dhe se të gjitha drejtoritë e rretheve në Itali, janë të përfshira në goditjen e këtyre bandave.
“Skuadra të përbashkëta hetimore po bashkëpunojnë në të dy brigjet. Trafiku i lëndëve narkotike është shumë i njohur, duke bërë që të sigurohen fitime të mëdha, të cilat riinvestohen në blerjen e lëndëve narkotike. Një vëmendje të veçantë merr pastrimi i produkteve të veprave penale. Vetëm në raste shumë të rralla fitimet e trafiqeve janë ruajtur apo investuar në Itali, ndërsa pjesa më e madhe riinvestohen në Shqipëri”, u shpreh kryeprokurori italian.
Sipas tij alarmi i lëshuar janë riinvestimet e paligjshme dhe korrupsioni, por edhe pasja e shumave të mëdha si pasojë e aktiviteteve të paligjshme.
Ai vlerësoi si problem, përfshirjen e trafikantëve në politikë dhe administratën publike, duke e quajtur një situatë problematike.
De Raho, nënvizoi si problem edhe trafikun e armëve, për të cilin tha se është një aktivitet në rritje.
Sipas tij sekuestrimi i pasurive kriminale do reduktonte veprimtarinë kriminale.
Një tjetër problematikë, ai cilësoi drejtimin e aktivitetit kriminal nga burgu, ndaj nënvizoi rolin e regjimit të burgjeve për të ndërprerë këtë aktivitet kriminal.
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha nga ana e saj se lufta kundër krimit të organizuar është një prioritet absolut i qeverisë shqiptare dhe se Italia, ka qenë e pranishme në çdo hap në luftën kundër krimit të organizuar.
Ajo tha se shumë shpejt do të prezantohet paketa antikrim, që përfshn edhe ndryshimin e Kodit Penal në Shqipëri.
Deklaratat e tyre u bënë në aktivitetin e sotëm ku ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Prokurorinë e Antimafias në Itali organizuan konferencën me temë “Mjetet në luftën kundër krimit të organizuar: Masat parandaluese pasurore dhe masat brenda sistemit të burgjeve në eksperiencën italiane”, veçanërisht në zbatimin e sistemit “41 bis”