Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, në një prononcim nga Korça, ka folur për protestën e paralajmëruar nga PD në 6 dhjetor në Tiranë, ku ka bërë me dije se, ashtu sikurse është thënë, kjo protestë do të mbahet në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, te Kryeministria.
‘Ne e kemi thënë që protestën do ta zhvillojmë në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ te Kryeministria. Ne problemet i kemi me maxhorancën kështu që është krejt normale që protesta të zhvillohet para godinës ku qeveria ushtron aktivitetin me të cilin qytetarët janë krejtësisht të pakënaqur.’
I pyetur nëse ka kaluar ‘vijat e kuqe’ që përmend Policia e Shtetit, Spaho tha se këto janë vija të vendosura nga një polici arrogante, e cila në veprimtaria e saj nuk ka në konsideratë asnjë interes të qytetarëve, por të një qeverie që ka kapur drejtësinë, median, që vjedh zgjedhjet, që nuk hap vende pune dhe që nuk rrit pagat e pensionet.
Kjo protestë pse nuk bëhet në sheshin ‘Skënderbej’?
Unë ju thashë ne nuk e kemi problemin me sheshet as godinat ne e kemi me Edi Ramën që qeveris në mënyrën më të keqe të mundshme.
Aty do ketë samit me vendet e BE?
Akoma më mirë ky është një avantazh i madh për opozitën pasi do ti tregojmë dhe Evropës se ka një Shqipëri tjetër nuk është ajo së Shqipëria e raporteve të BE apo raporteve të disa ambasadorëve që janë në Shqipëri, por një Shqipëri që unë ua përshkrova më parë.
Çfarë doni të thoni me ambasadorët që janë këtu?
Nuk është çudi disa ambasadorë, raportojnë që Shqipëria është në gjendjen më të mirë të mundshme ndërkohë që këtu demokracia ka marrë fund dhe por vendoset një regjim autokrat i Edi Ramës dhe këtë po e provojmë të gjithë. Është detyrë dhe përgjegjësi e opozitës që ti tregojmë komunitetit ndërkombëtar që këtu ka probleme serioze, thelbësore që duhen korrigjuar, nuk është vetëm në interesin e qytetarëve shqiptarë por në interes të gjithë rajonit që Shqipëria të kthehet në demokraci dhe jo në një tirani siç po insiston Rama prej vitesh.