Qesharakja Yuri Kim

0
292
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Agim Xhafka

Ka ca ditë ambasadorja Kim bën takime lamtumire me krerët e shtetit. Ngaqë mbylli mandatin e saj dhe fluturon për në Uashington, në detyrën e re. Buzagaz dhe lëkurë ndritur lëshon frazën, sërish në punën e re andej oqeanit me Shqipërinë do merrem. Dhe media jonë lëpirëse nuk i ndahet kësaj zonje.

Ndërsa mua kjo sorollatje e saj “hyr e dil nëpër zyra” më neverit. Ambasadorja më duket njeriu më qesharak sot për sot. Nuk më qeshet, madje as dua t’ia hedh sytë, por vendi ynë rri mbushur me lajme ose me Ramën ose me ambasadoren. Non stop dimë për këta të dy edhe kur kolliten, edhe kur zemërohen.

Po pse zonja Kim është qesharake? Se së pari mburr gangrenën reformë në drejtësi. Mjafton të dijë ajo, siç e dimë dhe e jetojmë ne, që për një gjyq shqiptarit i duhen dhjetëra vite të marrë vendimin që kërkon. Apo që ka vite që në Gjykatën e Lartë flenë 40 mijë dosje. Mbase ajo nuk e di, por një zonjë që kishte pronën te Shkolla e Baletit, e kërkoi për 30 vjet rresht e tani jo që s’e mori, por vdiq. Iku nga kjo botë me tapi pasurie në letër e nuk pati lekë të vendoste as proteza në gojë.

Kim mburr demokracinë shqiptare e “harron” që media shqiptare as një kravatë të kryeministrit nuk kritikon dot. Veç mburr e mburr e pronarët e TV-ve ndërtojnë resorte në bregdet, por jo në pronën e tyre, në truallin e pronarëve.

Qesharakja merr guxim e lavdëron vitet më të varfra të vendit. Ajo e di shumë mirë që Shqipëria ka të ardhurat më të ulëta në Evropë. Gjysma e popullit jeton në pragun e varfërisë. E di dhe Kim, por e rregullon fjalimin, e bën kimë me vezë, spërkat me yndyrë çdo fjalë. Siç e di shumë mirë që rinia fluturoi, mjekësia s’ka më personel, çmimet në qiell e votimet vidhen me lekë dhe me patronazhistë.

Zonjë, ik, largohu me dinjitet. Ti nuk na jep ne llogari për punën që ke bërë, por mos na mashtro se në këtë vend jetojmë prej brezash. Si e kemi çatinë, ku na pikon ajo, e dimë ne. Boll na gënjeu Enveri dhe Rama. Mos u radhit dhe ti me ata. Ngaqë akoma mendojmë që Amerika flet troç e na do. Mos na i zbeh këtë dashuri!

Zonjë, ti për mua erdhe Kim, më pas u bëre Kimete, tani po ikën si Nafije! Paç udhëtim të mbarë!

Zjarr Tv Ad