Pedagogia Elsa Rakipllari komentoi këtë pasdite në Syri Tv protestën e tyre për pagat dhe reagimin e qeverisë. Pedagogia u shpreh se po ankohen me të drejtë ndërsa shtoi se nuk i ka hije institucioneve shtetërore të denigrojë figurën e pedagogut.
“Po ankohemi me të drejtën tonë. Nuk i ka hije shtetit që të denigrojnë pedagogët për shkak të kërkesave ashtu siç mendoj se duhet të bëjmë dhe ne kujdes si i drejtohemi personave që kanë pozicione kyçe.”, tha Rakipllari.
Më tej ajo theksoi se ajo çka është në të mirë të kauzës së pedagogëve, është një pjesëmarrje edhe më e madhe.
“Shumë e rëndësishme që të gjithë të kuptojnë që kjo kauzë është në të mirë të mbarëvajtjes tonë dhe pedagogëve të tjerë. Nëse mund të orientohemi apo mbijetojmë me mënyra të tjera, ministrja e di që jemi përpjekur të fitojmë të ardhura për familjet tona në mënyra alternative.”, tha Rakipllari.
Më tej ajo deklaroi se protesta e pedagogëve do të vazhdojë ndërsa theksoi se qeveria duhet të reflektojë dhe mos të bëjë lojë force me pedagogët.
“Kërkesat tona nuk janë të ekzagjëruara. Shpresoj të ketë një reflektim dhe mos të na çojë në situata më drastike për të cënuar procesin mësimor. Vijmë pas vitesh akademike të vështira që kanë lënë pasoja tek studentët tanë. Shpresoj të mos e bëjmë lojën e forcës me njëri-tjetrin. Qeveria mos të bëjë lojë force me pedagogët por të reflektojë.”, tha Rakipllari.