Rama në Singapor: Nuk ka pasur moment më të mirë se ky, për të investuar në Shqipëri

0
778
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryeministri Edi Rama iu adresua ditën e djeshme Forumit Ekonomik në Singapor, ku ishin të pranishëm ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko si dhe një grup sipërmarrësish shqiptarë.

“Ne erdhëm këtu me bindjen që barrierat gjeografike nuk mund të jenë më një justifikim. Nga ana tjetër, me bindjen se nuk ka pasur një moment më të mirë për të investuar në Shqipëri”, tha Rama.

Ai shtoi se Shqipëria është në një proces tranzicioni ekonomik, duke lëvizur nga një model zhvillimi të udhëhequr nga konsumi, në një model të ri, të drejtuar nga investimet dhe eksporti.

Sipas tij, në tre vitet e fundit, qeveria ka ndërmarrë një sërë reformash të thella, duke arritur një rritje të qëndrueshme, duke nisur po ashtu procesin e reduktimit të borxhit publik.

Në këtë linjë shtoi se në modelin e ri ekonomik që po ndiqet, investimet e huaja janë vendimtare për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë, pasi synohet t’i jepet fund modelit të rritjes ekonomike të bazuar tek rritja borxhit siç bënë qeveritë kaluara, tha ai.

Përqendrimi tek burimet e rritjes ekonomike janë, sipas Kryeministrit, edhe “harta e investimeve të huaja të mundshme në Shqipëri”, duke identifikuar fushat e interesit ku mund të shtrihet bashkëpunimi ekonomik.

“Para së gjithash, energjia. Shqipëria është një vend me një potencial shumë të lartë hidroenergjetik, por jo vetëm. Vendi ynë është shumë i pasur me naftë onshore, një vend nga ku po kalon linja e re Trans-adriatike e gazit dhe një vend ku besojmë se më herët sesa vonë, edhe gazi do të jetë një burim i rëndësishëm, sipas disa të dhënave që kemi marrë nga disa eksplorime të bëra onshore në vend. Shqipëria është një vend i pasur në minerale. Ne po shohim shumë investime në këtë sektor. Duke u bazuar në çmimet e reja të kromit, po shikojmë edhe një potencial të madh për investime të mëtejshme”, deklaroi Rama.

Ai tha më tej, se Shqipëria është një vend fantastik përsa i përket asaj që i ofron zhvillimit të turizmit, i cili po zhvillohet shumë vit pas viti.

Lidhur me vitin e kaluar, shtoi se kemi pasur një kërkesë 25 herë më të madhe, sesa ajo që mund t’u ofroj atyre që donin të vinin në Shqipëri, pasi ka ende shumë nevojë për të investuar në infrastrukturën e hotelerisë.

“Bujqësia dhe sektori i agro-përpunimit mund të jenë po ashtu shumë fitimprurës për disa arsye shumë të thjeshta: toka shumë pjellore dhe të përshtatshme, burime të bollshme ujore dhe kushte klimatike optimale, gjë që përbën një potencial të madh për prodhimin. Industria përpunuese është një sektor tjetër ku po shohim shumë zhvillime dhe ku jemi të sigurt se mund të bëhet akoma më shumë në nivele të ndryshme, edhe falë taksimit shumë të ulët të sektorit dhe gjithashtu, falë shumë shtysave strukturore të ofruara nga qeveria”, deklaroi Rama.

Kryeministri e konsideroi Singaporin një model frymëzues në rrugën tonë drejt zhvillimit. Dhe e mbyllur fjalën me  një apel, se të investosh në Shqipëri është një biznes shumë interesant dhe frytdhënës.​

Zjarr Tv Ad