“Rama s’jep asgjë falas”! Reforma Territoriale pritet të përplasë sërish palët, BIRN: Më vështirë gjetja e konsensusit, se vijëzimi i kufijve lokalë

0
246
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Në komisionin parlamentar “Për Reformën Administrativo-Territoriale” raportoi të hënën Enea Hoti, Drejtor i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV). Sipas tij impakti i reformës së vitit 2014 kishte qenë pozitiv pasi kishte rritur efiçencën e pushtetit vendor, autonominë financiare dhe shërbimet ndaj qytetarëve.

Por opozita, e cila inicoi ngritjen e komisionit, pretendon të kundërtën, duke theksuar se kjo reformë ka hasur problematika të mëdha në zbatim duke krijuar centralizim të pushtetit dhe të shërbimeve, duke lënë jashtë vëmendjes zonat rurale dhe shtuar shpenzimet.

Harta e re që do të miratohet në fund të shtatorit, sipas kalendarit të punimeve, është akoma në tryezën e ekspertëve, por gjetja e një konsensusi politik do të jetë më i vështirë se sa vijëzimi i kufijve lokalë.

Drejtuesit e Partisë Demokratike aludojnë se ka një pakt politik të fshehtë mes një pjese të deputetëve të kësaj partie me mazhorancën në pushtet që harta e re territoriale do të shkëmbehet për një sistem të ri zgjedhor.

Nënkryetari i partisë Oerd Bylykbashi i tha BIRN-it se çdo vendim duhet të jetë politik dhe duhet të merret nga organet e partisë, jo nga deputetët anëtarë të komisionit.

“Në mënyrë të qëllimshme janë përjashtuar përfaqësues të organeve të partisë, është e qartë që Reformën Territoriale ta mbajnë nën kontroll për të arritur qëllime të tjera”- tha Bylykbashi.

Ai pretendon se kjo reformë do jetë “monedha e këmbimit” në funksion të një sistemi të ri zgjedhor që i shkon për shtat PS-së.

“Përbërja e një propozimi, i cili do të dukej si ndryshim i hartës ekzistuese, nga këta përfaqësues të PD-së , po që nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar, do të dukej si një fitore politike po pa një impakt. I njëjti propozim mund të përfshijë dhe rajonet, ide e vjetër e Ramës. Në dukje do kishim një koncension të Ramës për ndryshimin e Kushtetutës pasi heqja e qarqeve e kërkon këtë”- shpret ai.

Sipas Bylykbashit prekja e Kushtetutës do të çonte në ndryshime të tjera edhe në funksion të reformës zgjedhore duke ndryshuar sistemin elektoral.

“Rama nuk jep asgjë falas”, – thotë ai, duke aluduar se “ai kërkon primin e mazhorancës, mandate që merren pa votë, por që merren prej daljes si parti e parë në zgjedhje”.

Ai iu referua një deklarate të Enkelejd Alibeajt në konsultimet për hartën për të mbështetur aludimet e tij.

“Kur morëm vendimin për të votuar zgjatjen e vetingut, për të cilin kishim vërejtje, kemi kërkuar që, po, duam mbështetje për reformën territoriale dhe zgjedhore.”- thotë Alibeaj në një takim me simpatizantë lokalë të partisë.

Por, Dhurata Çupi, bashkëkryetare e PD-së në komision, i hedh poshtë pretendimet për një marrëveshje të fshehtë me PS-në.

“Nuk jam pjesë e asnjë marrëveshjeje, qëllimi është të mbroj interesat e PD-së dhe demokratëve. Nuk kemi pse të kemi ndasi sa i takon Reformës Territoriale”- i tha ajo BIRN-it.

“Kam komunikuar me përfaqësues të lëvizjes së zoti Berisha që të kemi një material të përbashkët si grup parlamentar. Jam e gatshme të ulem me gjithë faktorët”- shton ajo, duke sqaruar se konsultimet do të vijojë në gusht dhe në shtator.

Nga ana tjetër, socialistët nuk shfaqin interes për konfliktin mes partisë më të madhe të opozitës, por që përmirësimet e hartës të bëhen bazuar mbi kritere teknike.

“S’na takon ne të themi si do e zgjidhin ata problemin e tyre. Në fund komisioni mund të shkojë me 1 ose 2 raporte në Kuvend”- tha për BIRN bashkryetarja socialiste Anila Denaj. “Në fund ndarja do të bëhet mbi kritere teknike, nuk është politike”- shtoi ajo.

Shtim i numrit të bashkive ose përgjysmim i tyre, zëvendësimi i qarqeve me rajone; të gjitha idetë për hartën e re janë mbi tryezë dhe partitë po i kalkulojnë në funksion të zgjedhjeve të ardhshme vendore.

Harta e re mes dy propozimeve të kundërta

Komisioni vijon me dëgjesat e shoqërisë civile, zyrtarëve vendorë e organizatat e komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Shqipëri, por ekspertët pranë komisionit po hedhin idetë e para në letër duke iu rikthyer dhe studimeve të hershme.

Agron Haxhimali, Kryetar i Shoqatës së Bashkive dhe ekspert pranë komisionit, i tha BIRN-it se ata po punonjnë për një projekt që teston metodologjinë e ndjeshmërisë sociale, larg ngjyrimeve politike.

“Synimi është për të dalë në një qëndrim të vetëm”- shpjegoi ai duke pranuar se po është në bisedime me dy grupimet brenda PD-së, PS-në dhe LSI-në për projektin e hartës së re.

Haxhimali thotë se bazuar në studimet e bëra nga shoqata në bashkëpunim me organizata të huaja, shihet nevoja për rritje të numrit të bashkive, por nga ana tjetër, tendenca e PS-së është për shkrirjen në 36 njësi. Në të dyja rastet preket dhe niveli i qarqeve.

“Nëse shkohet për një rritje të numrit të bashkive, që sipas meje Shqipërisë i duhen rreth 80-90 njësi vendore, atëherë duhet të kemi një nivel të dytë pushteti vendor me 6 qarqe ose 3 rajone të mëdha. Por nëse shkohet për një numër më të ulet të njësive vendore atëherë kuptimi i rolit të qarqeve bie. Dhe mbetemi me pushtet vendor me një nivel”- sqaron ai.

Heqja e qarqeve u mbështet dhe nga Besnik Aliaj, drejtues i Institutit për Zhvillimin e Habitatit (Co-Plan) gjatë një dëgjese në komision. “Qarqet është emër i konsumuar, por duhet konsensus politik”- tha ai. Po ashtu Aliaj hodhi idenë që disa komuniteteve lokale t’u njihet e drejta për vetqeverisje dhe të krijohen nën-bashki apo nën-njësi vendore.

Shtimi i numrit përkrahet dhe nga opozita për aq kohë sa do jetë në funksion të decentralizimit të shërbimeve.

“Kemi mungesë të unifikimit të territorit, mungesë investimesh në komuna, të përqendruara vetëm në qytete. Kemi mungesë shërbimesh bazë për qytetarët, transporti, ndriçimi, infrastruktura rrugore”- thotë Çupi

“Ndaj nuk mund të fokusohemi vetëm tek numri, por numri i njësive është i rëndësishëm sepse duke shtuar distancën sipas hartës që kemi fshatrave u mungon shërbimi më shumë se para 2014-ës”- shton ajo.

Ndërkohë, deputetja e Partisë Socialiste Anila Denaj thotë se diskutimi nuk është çështje numrash të njësive, por e efiçencës së pushtetit vendor dhe analiza mund të çojë dhe në reduktim të njësive.

“Reforma mund të ketë vend për përmirësime, po kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim territori. Mund të jetë qëndrimi i hartës siç është, mund të jetë dhe më i vogël”- tha ajo.

Referuar pretendimeve të opozitës për zona që mund të krijojnë njësi të reja, Denaj thotë se -“nëse vihet me shembuj konkretë, x bashki me numër popullate, mungesë shërbimesh, do t’i shohim”.

“Kjo nuk mund të jetë për të shkuar në 120 apo 90, se kjo do të jetë kthim mbrapa”- shton ajo.

Por, sipas Haxhimalit, ndarja në njësi nuk mund të bazohet vetëm në numër banorësh, pasi kapitali natyror është në fshat, pavarësisht se nuk jetojnë shumë njerëz, ndaj ai rithekson se, duhen shtuar njësi të reja, kryesisht rurale./BIRN

Zjarr Tv Ad