Për herë të parë një grua kosovare ka thyer tabutë duke rrëfyer tmerrin e përjetuar pas përdhunimit nga dy serbë gjatë luftës së Kosovës.
Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila tashmë jeton e lumtur në SHBA ku është martuar dhe ka dy fëmijë, rrëfeu në një intervistë për RTK sesi u përdhunua vetëm në moshën 16-vjeçare.
36-vjeçarja me lot në sy tregoi: “Më 14 prill të vitit 1999, isha në oborr dhe hyra brenda t’i thoja nënës të hapte derën. Nuk e dinim nëse erdhën të na vrisnin apo të na bastisnin. Ai pyeti ku e kemi babain dhe vëllain. Nëna i tha që janë në Gjermani. Ai tha ‘jo, nuk janë në Gjermani, kanë shkuar në luftë’ dhe hyri brenda e më mori mua. Më tha se do të shkojmë në polici për të dhënë deklaratë. Nuk doja të shkoja, por më kapi dhe më futi në makinë.”
Vasfije e kuptoi se diçka nuk shkonte vetëm kur makina nuk u nis drejt komisariatit por mori kthesë tjetër.
“Ai nuk vazhdoi drejtë ku është stacioni i Policisë, por shkoi në drejtim të Prishtinës. Unë e dija por se kuptoja se çfarë do të ndodhë me mua, sepse kam qenë fëmijë, 16-vjeç. Shkuam në Babimovc, ka qenë një kishë aty, fshati ka pasur shumë serb. Në atë moment thjesht doja të vdisja me një plumb, dhe asgjë tjetër. Doja të më vrisnin,”-rrëfeu ajo.
Ajo shtoi se një prej serbëve që e sulmoi ishte polic i regjimit të Slobodan Milosevic ndërsa tjetri, civil.
Por tmerri i saj nuk mbaroi me kaq. Më pas në makinë erdhi një tjetër person që e përdhunoi.
“Pastaj është kthyer në makinë dhe ka ardhur një tjetër, ai nuk ka qenë me rroba të policisë, por me rroba civile. Më ka dërguar në një shtëpi tjetër afër shitores së fshatit Babimovc,”-rrëfeu kosovarja.
Ndërsa shtoi se ata e kërcënuan që të mos i tregonte gjë prindërve të saj. Edhe pse nuk i tregoi askujt se çfarë ndodhi, mendon se të gjithë e kuptuan që në momentin që e panë në fytyrë.
“Mos kallëzo ku ishe e ç’ndodhi. Thuaji familjes që ishe në komisariat duke dhënë deklaratë. Në të kundërt, vij të marr prapë,”-i tha oficieri serb Vasfijes.