Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për Top Channel në hapje të fushatës zgjedhore për parlamentaret e 11 majit, është pyetur dhe lidhur me arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Teksa gazetari i ka drejtuar pyetjen sesi arrestimi i Veliajt në fushatën elektorale të Tiranës, teksa e cilëson si “makinë elektorale”, kreu i Partisë Socialiste ka refuzuar të japë një koment duke thënë se tashmë të gjitha energjitë dhe fokusi janë të përqëndruara në 11 maj, dita e votimit.
Pjesë nga intervista:
Muhamed Veliu: Është fakt që Erion Veliaj ishte një makinë elektorale në Tiranë. Sa ka ndikuar arrestimi i tij në fushatën elektorale të Tiranës?
Edi Rama: Nuk do të bëj asnjë koment për këtë. Tani jemi të gjithë të fokusuar te 11 maji dhe çdo energji, çdo forcë, çdo gjallë është vetëm për 11 majin.
Kujtojmë që Erion Veliaj është arrestuar më datë 10 shkurt për tu lënë më pas në burg me vendim të GJKKO i akuzuar për veprat penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.