Shkëlzen Berisha: Diveroli pranoi nën betim se ka gënjyer

0
17

Shkëlzen Berisha ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Floridës për të rihapur hetimet për trafikun e armëve dhe çështjen Gërdeci. Në një status në “Facebook”, Shkëlzen Berisha bën një rezyme të padisë së tij të ngritur në vitin 2017 kundër Efraim Diverolit dhe dy punonjësve të tjerë të AEY për deklaratat e tyre të gënjeshtërta ndaj tij.

Ai sqaron se as paditë e për rrjedhojë as vendimi i gjykatës nuk kanë asnjë lidhje me tragjedinë e Gërdecit. Sipas tij, gjatë procesit gjyqësor, z. Diveroli deklaroi para gjykatës, nën betim se historia e përfshirjes time me AEY ishte një trillim nga fillimi deri në fund.

Ai thotë se Gjykata e Shkallës së Parë vendosi që z. Lawson dhe botuesit e tij nuk duhet të mbajnë përgjegjësi për publikimin e gënjeshtrave ndaj meje meqë është djali i një politikani të njohur, dhe për pasojë person publik.
Por gjykata, sqaron Berisha nuk bëri asnjë lloj përcaktimi nëse deklaratat e z. Lawson ishin të vërteta apo jo.
Ai shkruan se ky vendim është apeluar në Gjykatën e Apelit për Qarkun e 11 dhe beteja ligjore vazhdon.

STATUSI I SHKËLZEN BERISHËS
Dy fjalë për një beteje ligjore që vazhdon.
Siç mund të jeni në dijeni, në vitin 2017 unë ngrita padi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër Efraim Diverolit dhe dy punonjësve të tjerë të AEY, Alexander Podrizki dhe David Packouz, për dëme të shkaktuara nga deklaratat e gënjeshtërta në lidhje me mua, në mënyrë që të mbështetnin skemën e tyre kriminale për të mashtruar qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Si pjesë e kësaj çështje gjyqësore, unë gjithashtu padita Guy Lawson dhe botuesit e librit të Lawson “Qentë e Luftës” (apo “Armët dhe Çunat”) për publikimin e papërgjegjshëm të gënjeshtrave të z. Diveroli dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Me botimin e këtij libri, z. Lawson nuk arriti të përmbushë as standardet më minimale të gazetarisë. Ai qëllimisht shmangu intervista me mua dhe njerëz të tjerë që kundërshtonin gënjeshtrat e Diverolit. Ai vendosi të bazohej në deklaratat e pabazuara të një grupi mashtruesish kronikë dhe kriminelëve të dënuar, të cilët Lawson i pagoi për variantet e tyre të ngjarjes.

Për të gjithë ata që kanë rënë pre e makinerisë së shpifjes politike, më duhet të qartësoj se, as paditë e për rrjedhojë as vendimi i gjykatës nuk kanë asnjë lidhje me tragjedinë e Gërdecit. Por vetëm me shpifjet që personat e lartpërmendur kanë tjerrur ndër vite në media të ndryshme ndaj personit tim për gjoja lidhje dhe ndikim në aktivitetin e AEY.
Gjithsesi, gjatë procesit gjyqësor, z. Diveroli deklaroi para gjykatës, nën betim se historia e përfshirjes time me AEY ishte një trillim nga fillimi deri në fund. Në mënyrë me specifike, z. Diveroli pranoi që:
1. Unë nuk jam përfshirë me AEY në asnjë lloj aspekti apo mënyrë;
2. Unë nuk kam qenë kurrë në një takim me Diverolin ose me ndonjë përfaqësues tjetër të AEY; dhe
3. Diveroli e trilloi këtë histori për t’i bërë presion Kosta Trebickës që të mos fliste për skemën mashtruese të AEY.
Por të vërtetat që dolën nga kjo çështje nuk mbarojnë këtu. Dokumente të marra nga arkivat e z. Lawson dëshmojnë se që në vitin 2012, shumë kohë para se ai të mbaronte hulumtimin e tij gazetaresk (nëse mund të quhet i tillë), z. Lawson kishte vendosur siç shprehej dhe vetë të “rrëzonte Kryeministrin e Shqipërisë”. Një pjesë tepër e rëndësishme e këtij plani ishte publikimi i këtyre gënjeshtrave për të më dëmtuar mua. Me këtë qëllim, ai trilloi citime, burime dhe histori të ndryshme në lidhje me mua.
Evidentimi i këtyre të vërtetave të pamohueshme (në mes shumë të tjerave) nëpërmjet zbulimit të provave dhe fakteve në këtë proces gjyqësor ka qenë një fitore shumë e madhe morale për mua, veçanërisht pas gjithë këtyre viteve të mbushura me shpifje dhe gënjeshtra në lidhje me mua dhe AEY.

Gjykata e Shkallës së Parë vendosi që z. Lawson dhe botuesit e tij nuk duhet të mbajnë përgjegjësi për publikimin e gënjeshtrave ndaj meje meqë unë jam djali i një politikani të njohur, dhe për pasojë person publik.

Më duhet të theksoj fort se ndryshe nga çfarë është shkruar deri tani nga disa media (me qëllim shpifjen), gjykata nuk bëri asnjë lloj përcaktimi nëse deklaratat e z. Lawson ishin të vërteta apo jo. Gjykata thjesht vendosi që bazuar në interpretimin e saj të ligjit amerikan për mediat, z. Lawson nuk veproi me nivelin më të lartë të keqdashjes kur publikoi në mënyrë të papërgjegjshme deklarata të gënjeshtërta në lidhje me mua.
Sidoqoftë avokatët e mi në vlerësimin e tyre profesional mendojnë që vendimi i gjykatës për të mos lejuar që z Lawson të gjykohet nga një juri është thellësisht i gabuar.
Fatmirësisht, vendimi i kësaj gjykate nuk është një vendim final. Në momentin e lëshimit të kësaj deklarate ky vendim është apeluar në Gjykatën e Apelit për Qarkun e 11 dhe beteja ligjore vazhdon.