Grida Duma ka uruar sot mësuesit dhe nxënësit në nisje të vitit të ri arsimor duke thënë se shkolla shqiotare duhet të ketë mendësinë e të ardhmes. Në një postim në faqen e saj në Facebook ajo shkruan se shkolla ka misionin e madh të ndërtojë njeriun që mban gjallë ëndrrat nga fëmijëria.
Statusi i Dumës
Uroj që nisja e edukimit, ndjekja e shkollimit të ndjekë realizimin e ëndrrave. Imagjinata, ëndërrimi, vetëpëlqimi, gëzimi i jetës në “lojën e sfidave”, qoftë i plotësuar e zhvilluar në realitet nga edukimi, formimi e dija.
Uroj që shkolla shqiptare, armata e mësuesve tanë, të kenë vullnetin e mendësinë e të ardhmes, duke zhvilluar mendjen e fëmijës, jo mekanikisht, jo përmendësh, jo brenda skemave fikse, jo si robotë të notave e kartonave çertifikues.
Nisja e shkollës duhet të jetë nisja e shëndetshme shpirterore e njeriut shoqëror jo e individit të “pakuptutuar”, të bërë rresht nga dhuna mekanike e sistemeve të varfra, ku investohet shumë pak për botëkuptimin njerëzor në shkolla.
Vit të mbarë dhe qindra mijëra prindërve e gjyshërve që me dedikim të jashtëzakonshëm presin e përcjellin fëmijët para dyerve të shkollave.
Edukimi i njeriut është kujdesi për formimin i shpirtit të tij njerëzor, ku mbështetet mendja krijuese. Shkolla shqiptare me gjithë vështirësitë e veta, ka misionin e madh të ruajë e ndërtojë njeriun që i mban gjallë ëndrrat nga fëmijëria.
E kjo nuk është shkolla ku fëmija vlerësohet as sa “urtë rri”, as “sa shumë bindet”, as sa “përmendesh riprodhon mësimin” e ndonjë teksti shkollor shpesh të keq.
E gjitha kjo ishte mashtrimi masiv, që solli dështimin në vitet e komunizmit ku propagandohej njeriu i ri. “Njeriu i ri” a “njeriu i vjetër”, janë në rastin më të mirë, delire propagandash pa rrjedhe historike; njeriu, bota dhe shpirti human janë përjetësisht misioni.
Njerzorja tek njeriu që formojmë, kjo mbi të gjitha!