Pasi u plaçkit dhe u shkretua gjatë dy luftërave botërore, kombi i vogël i Lihtenshtajnit e pa veten në një krizë financiare, dhe përpiqej të mbijetonte me ekonominë të bazuar pothuajse të gjithën në bujqësi, ndërsa familja drejtuese u detyrua të shesë pikturat.
Por sot, fiks 300 vite pasi është shpallur principatë e pavarur, Lihtenshtajni ka të ardhurat më të mëdha për frymë, duke bërë që banorët e tij të jenë më të pasurit në botë për sa i përket raportit të PBB për kokë.
E megjithatë, vendi me gati 40 mijë banorë nuk ka as aeroport, as sistem hekurudhor. Punonjësit shkojnë me autobusë në punë, si i vetmi mjet i transportit publik. Veç kësaj, jo vetëm që nuk ka dalje në det, po nuk kanë as fqinjët që e rrethojnë.
Por si e arriti atë nivel pasurimi një vend kaq i vogël, me vetëm 160 kilometra katror? (Tirana si qark është rreth 1600 kilometra katror)
Vendi me pasurinë më të madhe për frymë ka taksa mesatare për korporatat prej 12.5%, nga më të ulëtat në kontinent, dhe shumë kompani kanë hapur zyrat në kryeqytetin e vendit, Vaduz.
Pavarësisht kushteve gjeografike, Lihtenshtajni ndjek politika globaliste dhe mirëpret bashkëpunimin me kultura të huaja. Në fakt, një e treta e banorëve në Lihtenshtajn janë të huaj.
Por ky transformim zgjati të paktën një shekull. Lihtenshtajni ka qenë një shtet i pavarur që në kohën e Perandorisë së Shenjtë Romake, por më pas u lidh me perandorinë Austro-Hungareze.
Pas Luftës së Parë Botërore, kur kjo perandori u shpërbë, bashkë me sistemin e vet monetar, Lihtenshtajni mbeti shumë i varfër. Në këtë pikë dëshpërimi, vendi krijoi një union monetar me Zvicrën, në vitin 1924, gjë që i mundësoi të zhvillohet në një shtet modern e industrial.
Pika më tërheqëse ka qenë niveli i ulët i taksave për kompanitë. Në vitin 1955, Lihtenshtajni mburrej si vendi ku njerëzit jetonin pa u munduar nga taksat, dhe premtonte se kjo liri kaq e bukur do t’u ofrohej dhe kompanive që do të investonin atje, bashkë me natyrën e mrekullueshme malore.
Por ndryshimi nuk erdhi dhe aq shpejt sa ç’dëshironin. Në vitet 1960, familja që drejtonte vendin u detyrua të shiste pikturat shumë të shtrenjta që i ruante prej shekujsh. Vetëm në vitet 1970 ekonomia nisi të shohë lulëzim.
Kohët e fundit Lihtenshtajni ka pasur presion ndërkombëtar për mungesën e transparencës në banka, në lidhje me sistemin e taksave. Kjo gjë e futi në listën e zezë të BE për vendet që nuk bashkëpunonin me hetimet e tyre për evazion fiskal.
Kjo përshkallëzoi në vitin 2009, kur autoritetet gjermane e amerikane u zemëruan pasi Lihtenshtajni nuk jepte informacione nga bankat për hetime mbi mashtrimin me taksat.
Edhe sot mbetet një parajsë për taksat. Banka LGT, e cila zotërohet nga familja princërore, u quajt nga një nënkomitet në senatin amerikan si institucion që ndihmonte klientët për të shmangur taksat e për të sfiduar urdhrat e gjykatave.
Veç kësaj, një tjetër gjë që bie shumë në sy në Lihtenshtajn, janë rregullat e shumta për qetësinë në publik. Banorët nuk duhet të korrin barin e shtëpive apo të bëjnë festa jo vetëm në orët e vona, por as nga ora 12:00 e deri në 13:30 gjatë ditës, orar në të cilin punëtorët e kanë pushim. Pra, pushimi i drekës është 90 minuta. Në shkurt, madje, kanë një javë “pushime sportive”.
Ndërsa politika në vend ka qenë shumë konservatore deri vonë. Gratë u lejuan të votojnë vetëm në vitin 1984.
Vendi ka dy princër që udhëheqin, Hans Adam II dhe djali i tij, Alois, i cili merret me anën zbatuese. Ai ka qenë bankier dhe ekonomist para se të merrte detyrat e drejtimit të shtetit.
Që nga viti 2003, dy drejtuesit kanë pasur të drejtën për t’u vendosur veto vendimeve parlamentare, të emërojnë gjykatës, e madje të shkarkojnë qeverinë. Princat mund të jenë vërtet duke jetuar në kështjellën e largët mbi kodër, por vëzhgojnë çdo gjë me vëmendje.