Si mund të fitojë një Opozitë mes kullave, kastravecave dhe bukës?

0
51
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga ARIAN GALDINI

Na kanë votuar që të bëjmë opozitë thonë.

Çudi e madhe.

Kjo frazë e shëmtuar, injoranteske, aspak demokratike ka 33 vite që përsëritet nga të gjithë ata që nuk fitojnë zgjedhjet dhe mbeten në opozitë.

Këtu fillon edhe burimi i gjithë të këqijave si pasojë e këtij mendimi të ngulitur e ripërsëritur nga çdo “bilbil opozitar” në këto 33 vite.

Këtu edhe nis kultura e gabuar e moskuptimi i opozitarizmit si koncept demokratik.

Me frazën “jemi votuar për të bërë opozitë” justifikohet bunkerizimi i opozitarizmit në vetëm Grupet Politike apo Fraksionet që kanë Parti që kanë humbur zgjedhjet e radhës.

Demokracia funksionon ndryshe.

Qeveria përfaqëson shumicën e shqiptarëve të cilët qoftë edhe me një grusht vota më shumë i japin të drejtën 1 partie ose një grupi partishë që të qeverisin të gjithë shqiptarët.

Ndërsa opozita është partia ose grupi i partive që nuk fitojnë zgjedhjet porse duhet të bëhen zëri i llogarikërkimit dhe alternativëndërtimit për të gjithë shqiptarët.

Nuk ekziston asnjë qytetar në botë që e voton 1 parti apo 1 kandidat për të qenë nëopozitë.

Çdo votë që jepet, ka synim dhe qëllim fitoren e partisë apo kandidatit të përzgjedhur.

Askush nuk voton e askush nuk votohet për të qenë opozitë dhe për të bërë opozitarin.

Thjesht të nesërmen e zgjedhjeve, del rezultati që përcakton partinë apo grupin e partive fituese dhe njëkohësisht edhe partinë apo grupin e partive humbëse.

E thënë edhe më shqeto, kur humbet zgjedhjet një parti apo një grup partishë, nuk është votuar për të qenë në opozitë dhe për të bërë opozitën.

Kur humbet zgjedhjet një parti apo një grup partishë, thjesht kuptojnë se projekti i tyre elektoral, projekti i tyre qeverisës dhe kandidati i tyre për Kryeministër, është rrëzuar.

Kaq e thjeshtë është.

Partia humbëse apo grupi i partive humbëse nuk janë votuar për të qenë në opozitë apo për të bërë opozitën, sepse nuk ekziston në demokraci e askund një votë e tillë.

Vetëm në diktatura dhe regjime hibride e autoritariste përcaktohen paraprakisht partitë fituese dhe ato që do luajnë rolin e opozitës.

Në demokraci nuk ndodh e nuk mundet të ndodhë kështu.

Në demokraci vota jepet për fitore dhe veç për fitore.

Kush humbet, do të thotë se i është rrëzuar në zgjedhje nga shumica e qytetarëve, projekti elektoral, projekti qeverisës dhe kandidati për Kryeministër.

Dhe bazuar në këtë logjikë, në demokraci partitë humbëse apo partitë e pakicës, kanë 4 vjet kohë për të ndërtuar alternativën e re.

E ndërsa i hyjnë punës për alternativën e re për zgjedhjet e ardhshme, partitë e pakicës, bëhen edhe përfaqësia politike e të gjithë qytetarëve për ta ngritur zërin në emër të të gjithë qytetarëve për ti kërkuar llogari shumicës fituese apo Qeverisë.

Kjo nënkupton hapje, qarkullim elitash, bashkëkordinim, jo asimilim, jo dominim, etj, etj.

Për t’i përfaqësuar të gjithë qytetarët, duhet të dalësh përtej kontureve partiake dhe militanteske, por tu shkosh qytetarëve aty ku janë dhe t’i hapësh strukturat dhe rrahjet e ideve e nismave për të gjithë ata që meritojnë apo kanë një vlerë për të shtuar.

Që të vijmë tek rasti ynë i Shqipërisë sonë.

Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, fitoi përsëri Edi Rama.

Patjetër që fitoi pa garë të ndershme, me patronazhistë, cuba, horra, të fortë, banda lokale apo rajonale, formularë me detyrim nënshkrimi për çdo punonjës administrate, me fuksime, shantazhe dhe joshje.

Përtej këtyre të vërtetave që tashmë i dimë të gjithë, fakti mbetet kokëfortë, Edi Rama fitoi zgjedhjet dhe Projekti Lulzim Basha për Kryeministër e bashkë me këtë Projekt edhe PD, LSI e gjithë partitë aleate të tyre u rrëzuan nga Shumica e shqiptarëve.

A ishin më afër se kurrë fitores?

Po.

A vlen kjo kur ka mbaruar puna dhe fituesi ka marrë Kupën?

Hiç fare.

A u votuan Lulzim Basha, Sali Berisha, Monika Kryemadhi, Ilir Meta, etj, për të qenë opozita dhe për të bërë Opozitën???

Jo.

620 mijë votat për PD + aleatë dhe 120 mijë votat për LSI, janë dhënë për fitoren e këtyre partive.

Ja që Edi Rama morri 40 mijë vota më shumë dhe PD+aleatë dhe LSI i humbën zgjedhjet.

Për rrjedhojë, kur pranohet ky realitet demokratik apo edhe me gjithë padrejtësitë në proçesin zgjedhor me natyrë aspak demokratike, PD + aleatët dhe LSI, duhej të nisnin proçesin e qarkullimit të elitave e prej aty të fillonin përpjekjet për ndërtimin e alternativës së re.

Nëse do ta bënin këtë, ne nuk do të kishim opozitën e rikthimeve.

I pari u rikthye Ilir Meta në krye të LSI, të cilën e transformoi në PL.

I dyti u rikthye Lulzim Basha i cili në Kuvendin e korrikut 2021, rikandidoi dhe u rizgjodh Kryetar i PD.

Këtu gjithçka lloci.

Shqiptarë e Ndërkombëtarë e kuptuan, se loja ishte e mbyllur e gjithçka në Shqipëri zhvillohej si puna e vetëm një Grushti njerëzish të cilët nuk e kanë më problem se kush fiton e as humbet, ata thjesht janë të vendosur të jenë pjesë e klubit ekskluziv të kryetarëve.

Goditja e Sali Berishës nga vendimi i SHBA për ta shpallur “Non-Grata”, lëvizi ujërat e ndenjura të Opozitës me Kryetarë të rikthyer.

Deri në atë moment, Sali Berisha ishte i qetë dhe i lumtur se edhe duke mos qenë vetë pjesë e atij klubi ekskluziv të kryetarëve, ai vetë ishte kryetari absolut i klubit tjetër ekskluziv të kryetarëve të partive të opozitës.

Kur Lulzim Basha e përjashtoi nga Grupi Parlamentar në 9 shtatorin 2021, Sali Berisha u ngrit, veshi opingat dhe e morri Shqipërinë në këmbë me Foltoren e tij, për të ripërcaktuar vendin e tij në klubin ekskluziv të kryetarëve.

Ia mori shumicën e PD Lulzim Bashës, ia morri edhe selinë dhe tani po pret i qetë vendin që i takon pas zgjedhjeve të 2025.

Sali Berisha nuk e ka më problem fitoren apo humbjen. Ai nuk e ka më problem as logon e as emrin e partisë e aq më pak vulën.

Sali Berisha ka shumicën e ushtrisë.

Nuk ka fare rëndësi nëse është fituese a humbëse.

Ai ka shumicën e ushtrisë.

Kaq i mjafton që pas 2025, ai të ketë emrin dhe vendin e tij në Klubin Ekskluziv të Kryetarëve.

Ndaj edhe rikthimi i tretë i Sali Berishës, nuk ishte akt politik për rienergjitizimin e Opozitës, por kalkulim i pastër makiavelik i tij për vendin e tij parësor në Klubin Ekskluziv të Kryetarëve.

Mandej erdhi edhe rikthimi i katërt i Lulzim Bashës.

A po kërkon Lulzim Basha fitoren e Opozitës në 2025, apo edhe ai do që të ketë një copëz vend në Klubin Ekskluziv të Kryetarëve???

Shkurt, sot opozita nuk është fare në përpjekje për fitore.

Opozita është bërë kashtë e k*qe, me garë të rikthyerish, për të zënë vendin tek Klubi Ekskluziv i Kryetarëve.

E nëse i dëgjon në Kuvend e kudo e ngado edhe në çdo deklarim publik e mediatik, tani po flasin për Kulla e kate Kullash me akuza e kundërakuza ndaj njëri tjetrit.

Sa turp e çfarë mjerimi.

Ndoshta ata prandaj e duan vendin e tyre tek Klubi Ekskluziv i Kryetarëve ku janë bashkë me Edi Ramën.

Sepse aty flitet për Kulla.

E përsa kohë tek Klubi Ekskluziv i Kryetarëve flitet për Kulla e Kate Kullash e Vila, deputetët e opozitës do të vazhdojnë të shkojnë herë me brisqe rroje e kastraveca si Saimir Korreshi, e herë me bukë me vete si Dash Sula.

Nuk kanë rrugë tjetër për të mbijetuar.

Ti themi faleminderit Zotit që nuk po shkojnë në Kuvend me gaveta….

Zjarr Tv Ad