Mediat kosovare raportojnë një ngjarje skandaloze të abuzimit seksual të një 16-vjeçareje në Drenas nga profesori i saj dhe një polic. Efektivi i policisë që akuzohet për abuzimin me adoleshenten është zëvendësshefi i hetimeve i Policisë në këtë komunë, Vesel Veseli. Hisoria bëhet edhe më e rëndë pasi ka dyshime që ky shtetas të ketë abuzuar gati dy vite me vajzën, madje e ka lënë edhe shtatzënë.
Veseli e kishte njohur vajzën ditën që ajo kishte shkuar në stacionin policor në Drenas për ta denoncuar mësuesin e saj për marrëdhënie seksuale me dhunë. Viktima ishte nën moshën 16 vjeçare.
Prej asaj dite kishte nisur historia e dhunës, kërcënimeve dhe shfrytëzimit seksual të kësaj nxënëseje nga hetuesi policor.
Ramiz Lladrovci, kryetari i komunës së Drenasit ka reaguar në lidhje me lajmin e rëndë të bërë publik në media. Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Lladrovci ka bërë të ditur se profesori me inicialet Sh.Gj. është pezulluar nga puna.
Ai ka deklaruar:
Duke respektu legjislacionin në fuqi Drejtoria e Arsimit ka ripezullu këtë mësimdhënës, dhe ne si institucion do të iniciojmë procedurë hetimore. Më 20.09.2017 ai është pezulluar nga puna. Deri në njoftimin e Prokurorisë kemi vazhdu pezullimin me 50 për qind të pagës. Me të marrë vendimin se ai nuk është nën hetime ne i kemi shkruar edhe një herë prokurorisë sepse kemi menduar se nuk janë zhvilluar hetimet siç duhet. Aktvendimi nga Prokuroria neve na ka detyruar ta kthejmë në punë mësimdhënësin. Ne inkurajojmë edhe inspektoratin që këtë rast ta ndjekin sepse ka raste abuzive që i kanë përdorë zyrtarët. Shpreh keqardhje për këtë rast. Nxënësja në fjalë e ka hequr deklaratën e saj dhe padinë sepse ka thënë se nuk është e vërtetë deklarata ime. Drejtoria e ka marrë vendimin dhe e ka ripezulluar mësimdhënësin. Ftojmë organet e drejtësisë që ta ndjekin këtë rast sepse ne besojmë në gjykatat tona”.