Ilirjana Zekja, dekania e sapozgjedhur e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, akuzohet nga një profesor amerikan, Gregory Piazza, se ka vjedhur pjesë të punimit të tij të botuar në revistën “Circulation” për t’ja bashkëngjitur punës së saj për të marrë titullin “Doktor”. Dosja.al ka siguruar letrën e plotë që dekania në largim nga drejtimi i FSHMT-së, Tatjana Cina, i ka dërguar dje më datë 3 gusht, Rektorit të Universitetit Mjekësor të Tiranës, z.Arben Gjata, Këshillit të Etikës dhe Komisioneve të përhershme. Denoncimi për Zekën është bërë më 29 korrik 2020, një ditë para zgjedhjeve në Universitete, dhe dekania aktuale raporton se është verifikuar informacioni i dërguar në email, dhe ka rezultuar se Zekja ka përvetësuar punimin e Piazzas për të marrë titullin doktor.
Pjesë nga letra e dekanes Tatjana Cina:
Më datë 29 korrik 2020 në postën elektronike zyrtare të Rektorit të UMT-së dhe Dekanit të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, ka mbërritur një email nga Gregory Piazza, MD, MS; Chief, Vascular Medicine Section; Division of Cardiovascular Medicin; Brigham and Ëomen’s Hospital; Associate Professor Harvard Medical School. Emaili i drejtuar rektorit të UMT-së dhe Dekanit të FSHMT-së nga Profesori i sipërcituar denoncon një ndodhi shumë të rëndë siç është plagjiatura e bërë nga disa pedagogë të UMT-së, ku autore e artikullit është znj. Ilirjana Zekja, personel akademik efektiv pranë FSHMT-së si dhe shkelja ndërkombëtare e të drejtave të Copyright—it të Revistës prestigjioze amerikane “Circulation”.
Emaili verifikohet si autentik, pasi në një kërkim në internet rreth Assoc.Prof.Gregory Piazza rezulton se emaili i dërguar rektorit të UMT-së dhe Dekanit të FSHM-të është nisur nga posta elektronike e këtij profesori.
Duke marrë në konsideratë që artikulli i znj. Ilirjana Zekja është publikuar në vitin 2013, vit në të cilin ka marrë gradën Shkencore “Doktor”, u krye verifikimi i përmbajtjes së dosjes së mbrojtur për marrjen e gradës shkencore “Doktor” të znj. Ilirjana Zekja dhe u konstatua si më poshtë vijon”.
Znj. Ilirjana Zekja, artikullin e përmendur dhe të dërguar bashkëngjitur prej Asocc. Prof Gregory Piazza, e ka paraqitur në dosjen e mbrojtjes së për marrjen e titullit.
Në letër, dekania parashtron që UMT-të, rektorati dhe Këshilli i Etikës të marrin masat, dhe të ndalojnë zgjedhjen e Zekjas në krye të fakultetit, pasi kjo mund të sjellë edhe rreziqe financiare dhe ligjore për Universitetin.
Cina ka bashkëngjitur në letër, emailin e profesorit amerikan, dhe po ashtu edhe pjesën e vjedhur nga dekania e re, Ilirjana Zekaj. Ky në fakt është një rast unikal, që sigurisht mund të ndodhë vetëm në Shqipëri. Lexoni me ëndje letërkëmbimin në FSHMT.