Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, sërish ka hedhur akuza ndaj kryeministri Edi Rama në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Meta tha se porositësi është Edi Rama dhe është bërë me qëllim në mënyrë që të provokonte opozitën që situata të dilte jashtë kontrollit.
“Nuk ka patur ide për të krijuar probleme nga opozita. Qeveria ka qenë e vetmja që i ka fryrë idesë së konflikteve, provokimeve. Opozita ka vepruar në mënyrën më paqësore, demokratike. Kështu veproi përgjatë manifestimit.
S’kishte qëllim për të krijuar tension të panevojshme, kur Tirana ishte vend i mikpritjes së një samiti. Shqetësimet që ngritëm i kishim në raport me qeverinë tonë. Qëndrim ndaj një vendi që prodhon qytetarë për gomonet e La Manshit. Është një inskenim mafioz, që ngarkon me përgjegjësi Edi Ramën që vuri në direkt në punë makinerinë e propagandës. Vetëm qeveria mund ta vendosë në dispozicion. Të gjithë e kanë të qartë se kush janë autorët dhe në ca shteti jetojmë.
Ngjarja mund të kishte vajtur edhe në drejtime të tjera, sipas atyre që do kishte dëshiruar Rama të reagonte opozita. Autori është vetëm një, Rama është porositësi i këtij atentati kundër Berishës, gjuha e tij e dhunës dhe gjithë mjetet që ka pasur në dispozicion në mënyrë të paligjshme. Skenar shumë i lexueshëm për ne dhe tashmë i dështuar”, tha Meta.