I dërguari Special i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak e ka cilësuar si të vështirë takimin e sotëm mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Bruksel.
“Nuk ishte takim i lehtë por është e rëndësishme që ky takim ndodhi. Dy liderët treguan qartë se çfarë duan, dy liderët konfirmuan se nuk ka rrugë tjetër për dy shtetet pa normalizim të marrëdhënieve. Të dy janë të angazhuar për të punuar në normalizim të marrëdhënieve përmes dialogut”, u shpreh Lajçak.
Diplomati i BE shtoi më tej se BE-ja pret që Kurti dhe Vuçiç të shtyjnë Kosovën dhe Serbinë drejt integrimit europian.
“BE-ja ka pritshmëri të lartë nga dy liderët që të kapërcejnë të kaluarën dhe të shtyjnë Kosovën dhe Serbinë drejt të ardhmes evropiane”, tha Miroslav Lajçak.