Juristja Ankelita Çela ka prezantuar kandidaturën e saj në primaret e PD për Bashkinë e Cërrikut. Në postimin e saj në Facebook, Çela ka kërkuar që të gjithë demokratët dhe qytetarët të bëhen bashkë për ti kthyer Cërrikut rininë, punësimin dhe alternativën për të jetuar në këtë qytet.
Postimi i plotë:
Të nderuar demokratë!
Të dashur bashkëqytetarët e mi!
Jam sot para jush për të marrë përgjegjësi dhe për të shpallur kandidaturën në primaret e Partisë Demokratike Dega Cërrik!
Vij para jush në këtë garë në respekt të vullnetit dhe propozimeve tuaja si anëtarë të familjes time politike por edhe si një angazhim për të plotësuar një detyrim që kam ndaj qytetit tim, Cërrikut!
Jam Ankelita Përparim Çela, me profesion juriste dhe aktualisht punoj si avokate që prej vitit 2011. Jam lindur dhe rritur në qytetin e Cërrikut.
Sot më shumë se kurrë qyteti jonë ka nevojë që t’i nënshtrohet një ndryshimi të madh! Jo një rilindjeje si ajo që iu premtua në 2015, por një ndryshimi real dhe të prekshëm nga qytetarët tanë.
Cërriku është një qytet që prej vitesh nuk i jep asnjë mundësi punësimi dhe jetese qytetarëve. Kjo është arsyeja që goditjen e shpopullimit e ka marrë shumë të madhe edhe qyteti i Cerrikut.
Vendosa të kandidoj në këto primare pasi refuzoj të shoh se si qyteti zbrazet nga të rinjtë, kur shoh pamundësinë ekonomike që çdo familje ka për të mbajtur veten me ushqim.
Dua që të jem pranë çdo qytetari , ku të dëgjohen dhe të jem pranë tyre duke i dhënë zgjidhje për të kontribuar dhe jetuar në qytetin e Cërrikut.
Fermerët me të drejtë denoncojnë faktin se njësive administrative nuk u është dhënë asnjë subvencion në bujqësi duke bërë që tokat e tyre të mos punohen.
Jam këtu tju zgjas dorën për ta realizuar bashkë këtë ndryshim!
Për herë të parë Partia Demokratike i jep mundësi çdo anetari, simpatizanti të saj të zgjedhe vetë figurën që do ti përfaqësoj.
Kjo është një garë që duhet të na bej bashke per te qene fitues. Kushdo qoftë fitues nga kjo përballje brenda familjes tonë politike do të jetë dinjitoz dhe do të ketë mbeshtetjen time personale!
Të bëhemi të gjithë bashkë në këtë betejë për ti kthyer Cërrikut rininë, punësimin dhe alternativën për të jetuar në këtë qytet.
Faleminderit!