Partia Demokratike ka reaguar mbi vendimin e qeverisë shqiptare për ti dhënë statusin e investitorit strategjik në bregdetin e Himarës, bashkëshortes së ministres për punët e jashtme, Olta Xhaçka.
Përmes deputetit Arbri Agalliu, PD deklaron se kjo është një skemë e ngjashme me atë të inceneratorëve, ku krijohen kompani fantazmë, për të fshehur dhënien e pasurive publike, personave të afërt me Edi Ramën.
Pas publikimeve në media, gjatë ditës së djeshme, Artan Gaçi, bashkëshorti i Xhaçkës, pranoi se ai është përfituesi i statusit të investitorit strategjik, dhe pritet që të ndërtojë një hotel në zonën e bregdetit. (lexo reagimin e tij)
Nuk dihet ende nëse Xhaçka ka votuar edhe vetë, për këtë vendim të qeverisë, e cila do ta zgjeronte aferën edhe në fushën e konfliktit të interesit të drejtpërdrejtë të ministres.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, DEPUTETI ARBI AGALLIU:
Abuzimi me pronat e shqiptarëve dhe korrupsioni, nuk kanë të ndalur në qeverinë e Edi Rameës. Pasi e shpalli veten pronar të vijës bregdetare të Shqipërisë, Edi Rama ka nisur ta shpërndajë atë te miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij. Një prej perfituesve është dhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka.
Edi Rama i ka dhënë statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një hoteli dhe shfrytëzimin e një zonë bregdetare në Himarë, një kompanie në pronësi të ish-deputetit socialist, Artan Gaçi i cili është bashkëshorti i ministres së Jashtme, Olta Xhaçka
Kompanisë së bashkëshortit të ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, i është dhënë leja për përdorimin e një zone bregdetare në Himarë për një periudhë 30-vjeçare. Kompania ‘AGTTC Hotel Management’, është regjistruar në QKB me 25 qershor 2021 dhe është në pronësi të një 30 vjeçareje nga Massachusettsi, pa asnjë eksperiencë në biznes dhe pa burime të njohura financiare për të ndërtuar resort.
Veprimet për regjistrimin e kompanisë në QKB janë kryer nga juristja e kompanisë së Artan Gaçit, bashkëshorti i ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.