Vali Bizhga për presidente? Kush është gruaja, që prej 20 vitesh qëndron pas Edi Ramës

0
2500
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Emrin ia përmendin rrallë në publik. Në mos fare. Duke qenë pranë një politikani si Rama, që vanitetin e ka mëkatin e preferuar, për Vali Bizhgën ka qenë e lehtë t’i fshihet prozhektorëve mediatikë. Ndonjë konferencë nga foltorja e Bashkisë së Tiranës 20 vite më parë, tashmë ka zënë pluhur në arkivat e televizioneve. Pamjet kokëulur në konferencë shpjegojnë marrëdhënien e vështirë me kamerën. Deri më sot, Bizhga ka preferuar të punojë pas kuintave, duke lënë të kalojë ndonjë thashethem që e përshkruan si “eminenca gri” të Ramës.

Por sot, Sali Berisha e plasi emrin e saj në konferencë me gazetarët, si kandidaten e preferuar të Edi Ramës për presidente. Në fabulën e Berishës, nuk mungoi të përmendej një “proces mafioz” apo “Cosa Nostra”.

“Po t’u pyes unë juve se cili ka dalë nga zarfat sekretë emri më i përfolur? A keni dëgjuar ndonjë emër ju? Ua them unë. Nuk keni dëgjuar. Sipas statistikave të Edi Ramës, 2/3 të sekreteve i kanë shkuar Vali Bizhgës. Po çfarë mund të presësh tjetër, në një kohë kur emri i saj nuk figuron në asnjë zarf. Kësaj i thonë zgjedhje. Prandaj i them unë zgjedhje si Cosa-Nostra” tha Berisha.

“Keni të drejtë që habiteni” iu drejtua ai reporterëve, që reaguan me habi pas përmendjes së Vali Bizhgës. Bashkëpunimi i ngushtë i Vali Bizhgës me Ramën ndër vite

Në kryeministri e përshkruajnë si gruaja që bashkë me Ëngjëll Agaçin duhet të përballojë barrën reale të orientimit të ministrave për qeverisjen e vendit. Ndërsa Rama mund të jetë duke ngjyrosur, i përhumbur në zyrën e tij mes lapsave, koshave dhe topave të basketbollit, Bizhga menaxhon axhendën dhe ngaresën e punëve.

Trajektoren e karrierës së saj në administratë e ka të njehsuar me uljet dhe ngritjet e Edi Ramës në politikë. Kur ai drejtonte Bashkinë e Tiranës, ajo ishte në rolin e zv.kryetares. Një periudhë kohe pati një tërheqje dhe u rikthye në vitin 2013, kur Partia Socialiste mori pushtetin pas tetë viteve në opozitë. Rama e vendosi në krye të kabinetit, pozicion që vazhdon ta mbajë dhe sot, pa u lëkundur. Prezantimin ia bëri në rrjetet sociale me këto fjalë:

“Me Valin kemi punuar krah për krah për shumë vite në Bashkinë e Tiranës, ku kam pasur privilegjin ta kem zëvendësen time dhe më pas Drejtore të Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë. Por kemi ndarë së bashku edhe përpjekjet dhe emocionet e disa fushatave, ku Vali ka luajtur prapa kuintave rolin kyç të Drejtorit Ekzekutiv të fushatës. Një betejë më e rendësishme për të, ajo me një kancer të shfaqur befas në formë agresive, e shkëputi lidhjen tonë të punës për aq sa kohë iu desh Valit ta fitonte betejën më të vështirë të jetës së vet. Tashmë, ajo është rikthyer në fushën e kahershme të përpjekjes sonë të përbashkët për të bërë punë të mira për vendin e njerëzit, e do të mbulojë me profesionalizmin, pastërtinë dhe përkushtimin e saj të posaçëm në komunikimin me njerëzit, një detyrë ku pa asnjë dyshim do vendosë një standard të ri” Edi Rama në gusht të 2013

Akuzat për ndërhyrje në punësime dhe reagimi i ashpër i Ramës. Për të kuptuar sa afër kryeministrit Rama është Vali Bizhga, shërben një rast kur ajo u përmend në Zërin e Amerikës, pasi doli në përgjimet e prokurorisë për punësimin e një vajze në administratën e burgjeve. Tre vite më parë, pasi prokuroria arrestoi ish-Drejtorin e Burgjeve, Arben Çukon, Zëri i Amerikës publikoi përgjimet e dosjes, mes të cilave ishte edhe një vend pune i porositur nga Vali Bizhga. Biseda e përgjuar kishte në fokus punësimin e një vajze.

“Fola me zonjën Bizhga para gjysmë orë dhe i thashë se u fut Vitjona në punë,” citohej Çuko në transkriptin e zbardhur. Asokohe Drejtoresha e kabinetit të kryeministrit, Vali Bizhga pranoi se kishte ndërmjetësuar për rastin pas një kërkese për ndihmë nga motrat e Nënë Terezës, për një grup prej rreth 15 të rinjsh të sapodiplomuar nga familjet vulnerabël. Bizhga shtoi se ishte ndjerë keq gjatë takimit me të rinjtë.

“Arsyeja lidhej me babanë e saj, i cili kishte qenë punonjës i Burgjeve dhe kishte humbur jetën në aksident. Gjatë ceremonisë mortore, shokët e të atit i kishin premtuar asaj vendin e tij në burgun e Fushë-Krujës,” tha Znj.Bizhga. Ajo shtoi se nga janari në fund të prillit ishte pritur që të krijohej mundësia për konkurs dhe se telefonata nga zyra e saj ishte bërë pas insistimit të vazhdueshëm të motrave të Nënë Terezës.

“Ajo nuk është pranuar në punë pa konkurs dhe zotit Çuko nuk i është thënë që do ta fusësh në punë. Është e vërtetë që ajo është aksesuar në konkurs, por ftesa për konkurs u drejtohet të gjithëve,” tha Bizhga për Zërin e Amerikës.

Fill pas publikimit të këtyre përgjimeve, Edi Rama e quajti “kazan” Zërin e Amerikës, duke e akuzuar se merret me llogje. “Erdhi dita që Zëri i Amerikës të flasë nga kazani i Tiranës duke përgojuar dynjanë mbi bazë llogjesh telefonike. Për herë të parë në Albania organizohet konkurs publik për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tonë mediatik. Çfarë katandie” shprehej Rama, që nuk e fshehu mllefin për përfshirjen e bashkëpuntores së tij në një aferë të tillë, që çoi pas hekurave ish-deputetin e PS, Arben Çuko. Vali Bizhga, në kostumin e një presidenteje që i përshtatet Edi Ramës

Përmendja e emrit të Vali Bizhgës si kandidate për presidente nga Sali Berisha mund të jetë pjesë e lojës politike. Është ende herët për të thënë se kush është e preferuara e Edi Ramës. Por Bizhga i plotëson të gjitha kushtet e parathëna nga socialistët për postin e kreut të shtetit. Është grua, nuk është pjesë e grupit parlamentar dhe duhet të sillet si e kundërta e Ilir Metës.

Kuptohet që nëse deri tani kemi pasur një president që ka mbajtur qëndrime diametralisht të kundërta me kryeministrin për shumë çështje, në 5 vitet e ardhme, në presidencë duhet të jetë një notere, që ka dhënë prova se i bindet Edi Ramës. Kush më mirë se vartësja e tij në kryeministri dhe bashki, mund ta bëjë këtë?

Zjarr Tv Ad