Për të nëntën ditë me radhë studentët kanë dalë në rrugë për të protestuar, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre.
Fillimisht të rinjtë janë mbledhur në fakultetet e tyre për tu nisur më tej në marshimin protestë drejt Parlamentit.
Me libra, Kushtetutë dhe pankarta në duar, studentët thërrasin në kor “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, “Ne nuk kemi frikë” etj.
Por krahas studentëve të Tiranës, protestës i janë bashkuar edhe ata të rretheve, ku nga Elbasani janë nisur autobus me të rinj, për tu bashkuar para Parlamentit.
Edhe nga rrethet e tjera, janë nisur të rinj për tu bërë bashkë para godinës, ku ditën e sotme mbahet seanca parlamentare.
Studentët nuk pranojnë dialogun e Kryeministrit Edi Rama, i cili nga ana e tij këmbëngul se pa dialog nuk do të merret asnjë hap për zgjidhjen e kërkesave të tyre.
Ditën e sotme të rinjtë janë bërë bashkë, në dallim nga dita e djeshme, kur gjysma protestuan para Kryeministrisë e gjysma tjetër te ministria e Arsimit.
Sakaq godina e Parlamentit është rrethuar nga forca të shumta policie.