Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, pranoi sot Letrat Kredenciale nga Ambasadorja e re e Delegacionit të Bashkimit Evropian në vendin tonë, zonja Christiane Hohmann. Pasi i uroi mirëseardhjen në Shqipëri dhe e siguroi për mbështetjen e tij dhe të institucioneve shqiptare, Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen politike dhe asistencën financiare që BE i ka dhënë Shqipërisë në tre dekadat e fundit. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për asistencën financiare të dhënë për përballimin e dëmeve të mëdha nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, si dhe për përballimin e lehtësimin e situatës gjatë pandemisë së Covid 19.
Presidenti i Republikës shprehu gjithashtu besimin se ardhja e zonjës Hohmann në Tiranë do t’i japë një shtytje të re marrëdhënieve të Shqipërisë me institucionet e Bashkimit Evropian, si dhe vetë procesit të negociatave të aderimit në BE. Presidenti Begaj nënvizoi ndër të tjera dhe vullnetin politik të institucioneve shqiptare për të përparuar në rrugën e reformave, duke theksuar se integrimi evropian mbetet projekti dhe prioriteti më madhor i Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“I ndërgjegjshëm për sfidat dhe vështirësitë që vetë BE-ja e Vendet Anëtare të saj po kalojnë pas agresionit rus në Ukrainë, shpreh besimin se vëmendja e Bashkimit Evropian ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor do të jetë edhe më e madhe, duke e konsideruar procesin e zgjerimit si instrumentin më të mirë gjeopolitik për adresimin e kërcënimeve ndaj paqes dhe sigurisë së rajonit dhe të kontinentit në tërësi” – nënvizoi Presidenti Begaj.
Burimi: BalkanWeb.