Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, ndërsa ka komentuar situtën e vështirë në të cilën PD ndodhet sot, ka deklaruar se ish-kryetari Sali Berisha duhet të ishte tërhequr me kohë në mënyrë që të mos lejonte që PD të përfundonte në këtë gjendje.
Ai ka shtuar se pavarësisht nga sa flitet, nuk ka asnjë afrim mes tij dhe zotit Berisha për të cilin tha se nuk ka ndryshuar qëndrim për sa kohë vlerëson se marrëdhënia e PD me aleatët është shumë e rëndësishme, referuar këtu shpalljes non grata nga ana e SHBA.
“Nuk ka asnjë afrim. Gjatë këtyre ditëve kanë nisur të kërkojnë llogari tek mua për qëndrimet që mban Berisha, psh pse thotë fjalë të mira për ua, a thua se kisha fuqi ta ndaloja kur fliste keq për mua. Unë nuk kam ndryshuar qëndrim ndaj zotit Berisha në asnjë çështje për të cilën kemi pasur diskutime. Vlerësoj marrëdhënien me SHBA si prioritet të PD. Ne kemi humbur 1 vit e gjysmë duke u marrë me njëri tjetrin, unë që të bind Berishën se është gabim dhe ai të më bindë mua për të kundërtën. Unë mendoj se nuk e bëjmë dot. Unë kam objektiv të mund Ramën, jo të përplasem në zgjedhje me Berishën që nga përplasja jonë të fitojë Rama. Duhet vendosur objektivi i çdo opozitari që të ndërtojmë një strategji. Nëse mbajmë ndezur konfliktin brenda PD i vetmi që fiton është Rama. Unë këtë nuk e pranoj dot. Nuk isha as në zgjedhje ku nga 45 minuta fjalim 44 ishin për Ramës”, tha ai.
Bardhi ka sqaruar gjithashtu që pas tentativave për bisedimeve me Edi Palokën nuk ka pasur tentativa të tjera bisedimesh.
“Bisedimet e mia me Palokën ishin transparente. Propozimi im ishte publik dhe nuk u pranua nga grupimi i Berishës. Sot nuk ka asnjë tentativë bisedimesh, ndryshe do ishin publike. Nëse beteja deri në 2025 do jetë kacafytja brenda demokratëve, nga kjo ngrihet vetëm PS dhe Rama. Pjesë e kësaj strategjie dhe këtij projekti nuk bëhem. PD ka nevojë për tre gjëra: të prodhojë ide, të dalë jashtë konfliktit dhe të ringrihet duke i zgjatur dorën çdo demokrati. Berisha duhej të ishte tërhequr për të mos futur në këtë rrëmujë PD shumë kohë më parë. Në konflikt me partnerët tanë strategjik PD vetëm dobësohet, por shoh që Berisha nuk ka ndërmend të bëjë një gjë të tillë. Ajo që kam unë në dorë si demokrat dhe drejtues i PD është çdo bëjmë ne të tjerët për partinë”, është shprehur ai.