Zhulali: Putin po dështon në Ukrainë! Vuçiç i ulur në dy karrige! Rama po dëmton Kosovën

0
36
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare Ilda Zhulali, komentoi në edicionin e orës 19:00 me Juli Krisafin në Syri Tv deklaratat e Vuçiç që paralajmëroi një konflikt global dhe pozicionin e Shqipërisë. Sa i përket luftës në Ukrainë, Zhulali tha se Rusia po dështon, ndryshe nga sa kishin parashikuar disa që Ukraina do thyhej.

“Ukraina ka rimarrë një pjesë të territoreve, rajone ne juglindje, përparime dhe në verilindje. Ushtria ruse është zmbrapsur. Ushtria ruse ka pësuar humbje të mëdha në burime njerëzore, armatime, rënie e moralit të ushtrisë. Kanë dështuar tezat me të cilat u organizua ky sulm ndaj Ukrainës.

Putin në fillim ndërhyri në Ukrainë duke i thënë popullit rus se po hyn për një operacion ushtarak special, mirëpo thirrja që bëri për mobilizim të pjesshëm tregon se po e thërret popullin nën armë, nga operacion ushtarak, tani po e përgatit për një luftë, duhet të ndryshojë retorikën e tij për të ngritur një kauzë të re dhe moralin dhe për të siguruar se populli do i përgjigjet.”-tha Zhulali.

Ajo shtoi se Putin ka pësuar humbje edhe në rafshin ndërkombëtar, teksa kujtoi samitin ku tentoi për të mobilizuar disa aktorë të tjerë përkundër boshtit të perëndimit, por ‘shuplaka’ e kryeministrit të Indisë dhe Presidenti Kinez, dhanë mesazh të qartë.

“Po përpiqet të vendosë Rusinë në një pozitë që kërcënimet e tij të merren më seriozisht. Po ngre retorikën, s’është hera e parë që kërcënon me armë bërthamore. Bashkë me rritjen e retorikës kërcënuese ai tani ka bashkëlidhur një referendum të përshpejtuar të katër rajoneve të cilat me gjasë duan t’i bashkohen Rusisë.”-tha Zhulali.

Sa i përket deklaratave të Aleksandër Vuçiç, Zhulali tha se Presidenti serb ka qenë i ulur në dy karrige, njëherë nga ana e BE-së dhe njëherë me fytyrë nga Rusia.

“Ai përsëri vazhdon të jetë i ulur në dy karrige, Serbia vend kandidat në BE, por pretendon se ka aleancën tradicionale me Rusinë.

Vuçiç tashmë është i detyruar për të bërë zgjedhje, të ndjekë politikën e jashtme për në BE, të dënojë Rusinë, t’i bashkangjitet sanksioneve dhe s’do i lejohet të jetë neutral.

Serbia s’mendoj se ka shumë zgjedhje, para ka një vend si Rusia që s’i ofron asgjë, veçse mbështetjen që Serbia ka kërkuar në Këshillin e Sigurimit për të dalë kundër Kosovës, por ndihmën financiare e merr nga Bashkimi Europian.”-tha Zhulali.

Për faktorin shqiptar në rajon, Zhulali deklaroi se është e pakuptueshme sjellja e kryeministrit Edi Rama, për një këmbëngulje që e vendos politikën e jashtme të Shqipërisë në pozicion të vështirë. Zhulali tha se Rama po dëmton Kosovën ndërsa shtoi se kreu i qeverisë po shkel Kushtetutën.

“Me qëndrimet që jep, nuk përfaqëson Shqipërinë, në kundërshtim me Kushtetutën, politikën e jashtme tradicionale të Shqipërisë. Ai përpiqet të marrë vëmendje se ka dalë jashtë lojës. Ajo që mund të bënte, mbështetja ndaj kryeministrit të Kosovës.”-tha Zhulali./syri.net

Zjarr Tv Ad