Zoti Blinken, a mundeni të na shpjegoni dot këtë demokracinë tonë?

0
83
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Klodian Tomorri

I nderuar zoti Sekretar,

Presidenti Biden, Ju dhe administrata Juaj përballuat me sukses pandeminë më të rëndë në një shekull.

Realizuat ndoshta rishpërndarjen më të madhe të pasurisë që është regjistruar ndonjëherë në histori përmes transferave sociale direkte tek familjet.

Përjetuat një nga rimëkëmbjet më të forta të ekonomisë amerikane gjatë dekadave të fundit.

Arritët të shkoni në ekuilibrin e punëzënies të plotë në ekonomi, të cilin deri tani e kishim parë vetëm në tekstet e librave të makroekonomisë.

Mbajtët të bashkuara botën për luftën e Ukrainës.

Por pavarësisht të gjitha këtyre, do ta keni shumë, por shumë të vështirë të fitoni mandatin e dytë. Madje sondazhet thonë se sot jeni humbës.

Këtej nga ne nuk dihet saktësisht se njerëz vdiqën nga epidemia.

Nuk dihet se sa mijëra familje ranë në varfëri për shkak se nuk kishte transferta sociale.

Ne nuk dimë sa nga ne kanë marrë rrugët e kurbetit nëpër botë.

Madje nuk dimë as sa kemi mbetur këtu se një e çmendur atje në INSTAT (Instati është zyra jona e statistikave) i ka kyçur rezultatet e censusit në sirtar dhe nuk i publikon.

Por pavarësisht këtyre, ne nuk e vëmë në diskutim hiç fitoren. Jo mandatin e dytë si Ju atje, por të katërtin, pas tij të pestin e kështu me radhë.

Meqë të ra rruga këtej dhe meqë Ju keni më shumë eksperiencë me këto punët e demokracisë, a na e shpjegoni dot pak këtë demokracinë tonë?

Ah, po. Kemi disa arritje ne që Ju nuk i keni dot.

Ne kemi ndërtuar inceneratorë që nuk ekzistojnë. Kemi check-up që lë burrat me barrë, kemi koncesion sterilizimi e sa e sa instrumente inovative që avullojnë paranë publike.

Përveç këtyre, ne japim tokën e shtetit falas për porte turistike. Ndërtojmë Eko-Park në Porto Romano, bëjmë unaza me kompani që falsifikojnë firmat e sekretarëve Tuaj etj, etj.

Mos vallë, keni mbetur pak mbrapa Ju me demokracionë andej? Mos vallë duhet të kërkoni ca këshilla këtej si ta përmirësoni demokracinë Tuaj?

Ndoshta duhet të filloni me ndonjë koncesion inceneratorësh si fillim. Pastaj me radhë, portet, aeroportet, shëndetësinë … se mbase kështu do t’i fitoni zgjedhjet me lehtë.

Nejse, kërkoni këshilla njëherë gjatë takimeve që do bëni këtu se ne jemi ekspertë për këto punë./KAPITALI

Zjarr Tv Ad