Zyrtari i lartë i SHBA takoi sot Ramën dhe Bashën, Philip Reeker shmang Metën dhe niset drejt Maqedonisë së Veriut

0
108
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ndihmës Sekretari Amerikan për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Philip T. Reeker, ndodhet sot në Tiranë. Ai është takuar paradite me kryeministrin Edi Rama në selinë e Qeverisë, dhe në mesditë ka shkuar në selinë blu.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka qenë sot shoqëruese e Reeker në Kryeministri, ku në fokus kanë qenë marrëdhëniet SHBA – Shqipëri dhe fusha të tjera të interesit të ndërsjellë, mes dy vendeve. Për më shumë se një orë, Rama dhe Reeker kanë folur edhe në lidhje me stërvitjen e përbashkët Defender Europe 21.

Në mesditë, zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, ka shkuar në selinë blu dhe ka zhvilluar aty një takim me kryetarin Lulzim Basha. Për afro 70 minuta, Basha dhe Reeker kanë diskutuar për integrimin, negociatat, mbështetjen që SHBA i ka dhënë Shqipërisë në Reformën në Drejtësi dhe në luftën kundër korrupsionit.

Edhe në këtë takim numri 2 i DASH shoqërohej nga ambasadorja Kim, ndërsa Lulzim Basha kishte në krah të tij, Gazment Bardhin dhe Jorida Tabakun.

Ajo që bie në sy është se Ndihmës Sekretari Amerikan ka shmangur totalisht Presidentin e vendit Ilir Meta. Nuk dihet nëse Philip T. Reeker nuk ka shkuar në zyrën e Metës për shkak se axhenda nuk parashikonte takim me të, apo shkak kanë qenë përplasjet e forta të muajve të fundit, mes Presidentit dhe Ambasadores Kim.

Zyrtari i lartë i SHBA ka zhgjedhur të takojë sot vetëm Ramën dhe Bashën, dhe nesër do të niset menjëherë drejt Maqedonisë së Veriut.

Zjarr Tv Ad