Basha: Në fund të mandatit të parë, rrogat e mësuesve do të dyfishohen

0
614

Kryetari demokrat Lulzim Basha bashkëbisedim me mësues të shkollave mbi problematikat e tyre

Pasditen e tetëmbëdhjetë në sheshin e lirisë, kryetari demokrat Lulzim Basha bashkëbisedoi me mësuesit e niveleve të ndryshme te arsimit publik në Shqipëri, të cilët në këtë 7 mars ngritën zërin për rikthimin e dinjitetit dhe respektit tek mësuesia.

Forumi u çel me performancën operistike të dy nxë​nësve Adejon Kola dhe Fortunato Ndoi të cilët përshëndetën me këngë, mësuesit shqiptarë kudo ndodhen.

Irma Marku, mësuese gjuhë letërsie tek shkolla Ismail Qemali në Tiranë, denoncoi shkarkimin e saj nga Këshilli i Etikës së shkollës vetëm sepse kishte ngritur shqetësim lidhur me marrëdhënien jo gjithmonë të mirë mes mësuesit dhe nxënësve të tij.

“Dokumenti zyrtar i drejtorit të shkollës, i jep udhëzime Këshillit të Etikës për shkarkimin tim komplet jashtë rregullores pa ju drejtuar komisionit i cili është përgjegjës për këtë punë.”

Një mësues nga Devolli, me arsim të lartë, e gjeti veten të përjashtuar nga reforma në arsim e kabinetit Rama dhe prej tre vitesh është i papunë. Mesazhin zotëria ia drejtoi ministres së arsimit Lindita Nikolla.

“Ju na nxorrët përkohësisht nga sistemi arsimor, por titullin mjeshtër, mësues nuk ma merr dot, as diplomën. Ashtu sikudër nuk më merr dot edhe tufat me lule që më sollën sot nxënësit e mi”.

Shqetësimet e tjera të ngritura nga mësues të ardhur nga anë e mbanë Shqipërisë akuzojnë kryeministrin se përmes reformës së tij, jo vetëm ka përjashtuar mësues të kualifikuar dhe i ka lënë të papunë, por ka vënë në pozicionet e tyre mësues pa një ditë eksperiencë në profesion.

Alma Lama, kryetare e sindikatës së arsimit për degën e Tiranës, tha se edhe pse shqetësimi i saj ka parë edhe pasqyrim mediatik madje është kulmuar edhe me një protestë, ende sot mësuesit e Tiranës punojnë jashtë orarit, nuk paguhen për ato orë, madje prej tre vitesh nuk marrin më as shpërblimin e fundvitit.

“Kërkojmë të drejtën e normës së punës. Kurrikula e re nuk na shqetëson vetëm ne, por edhe fëmijët dhe prindërit të cilët nuk arrijnë të përballojnë shpenzimet e saj. Shpenzimet që kërkon kurrikula për dosjet e lëndëve nuk përballohen nga familjet. Nuk është marr mendimi as i mësuesve dhe as i familjarëve kur është përpiluar ky plan.”

Kryedemokrati Lulzim Basha, pasi uroi 7 marsin çdo mësuesi, tha se në këtë 130 vjetor të mësonjtores së Korçës, arsimi shqiptar ndodhet në ditë të vështirë.

“Nuk ka dritëshkurtësi më të madhe sesa të presësh fondet për arsimin të godasësh mësuesit, të bësh fushata spastrimi politike apo korruptive në korpusin e mësuve apo pedagogëve të një vend. E pra të gjithë jemi dëshmitarë se në këto katër vite ka ndodhur kjo e fundit. Drejtoritë rajonale të arsimit janë shndërruar në qendra të pastra korrupsioni dhe krimi ndaj brezit të ri ndërkohë që mësuesit ndodhen përpara një presioni psikologjik dhe politik të përmasave të papara e të padëgjuara në këto 26 vite, duke përfshirë edhe presionin politik elektoral ku i ka vendosur tani qeveria e krimit dhe e drogës duke kërkuar evidentimin me listë të mësuesve, të familjarëve dhe të komshijve të tyre, për zgjedhjet fasadë që duan të mbajnë më 18 Qershor”.

Zoti Basha parashtroi shtyllat e programit të qeverisjes së tij sa i përket sistemit arsimor.

“Sot dua të përsëris këtu në këtë shesh të lirisë dy shtyllat kryesore të programit të arsimit të ulët nëntëvjecar dhe atë të mesëm. Shtylla e parë është : kthimi i orareve arsimore të fëmijëve shqiptarë në parametra evropianë që do të thotë që fëmijët e shqiptarëve nuk do të bredhin rrugëve por njësoj si fëmijët e vendeve të Bashkimit evropian do ti krijohen kushtet që pas mbarimit të orëve të rregullta të mësimit të kenë mundësi të kenë konsumuar edhe drekën e shkollës, të kenë orët e tyre të kryerjes së detyrave të aktivitetit sportive, të aktivitetit kulturor, të mësimit të gjuhëve të huaja, të gjitha të paguara nga taksapaguesit dhe qeveria shqiptare që do të zgjidhet me votë të lirë e të ndershme”.

E dyta. Ne dyfishuam rrogat e mësuesve po prapë kjo është shumë poshtë nivelit evropian. Ndaj unë dua tju jap fjalën sot se në fund të mandatit të pare, të qeverisë së parë të republikës së re, rrogat aktuale të mësuesve do të dyfishohen përsëri. Do të dyfishohen për të dyfishuar vlerësimin tonë për këtë punë të jashtëzakonshme dhe delikate për të ardhmen e shoqërisë. Ekipi ynë i ka bërë llogaritë dhe llogaritë na dalin kur ti shporrim hajdutët nga qeverisja dhe paratë e shqiptarëve ti harxhojmë në radhë të parë për fëmijët e shqiptarëve”.

Investimet do të nisin që në muajin e parë – tha Basha duke shtuar gjithashtu se mësuesit do të testohen dhe punësohen vetëm përmes meritokracisë.