Tabaku: Beteja e Ramës kundër biznesit të vogël, jo kundër informalitetit

0
546
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Deputetja e PD-së Jorida Tabaku ironizoi protestën e sotme të shoqatave të biznesit. Tabaku thotë se qeveria Rama betejën nuk e ka me informalitetin por me biznesin e vogël.

“Që të kuptohemi, Partia Demokratike është kategorikisht kundër informalitetit por ne problemin nuk e shohim tek biznesi siç qeveria dhe shoqatat e qeverisë e shohin. Për ne informaliteti në ekonomi lindi dhe erdhi si rezultat i rritjes së taksave, represionit policor, korrupsionit e ndryshimit të shpeshtë të ligjeve që vështirësojnë rregullat tatimore. Të gjithë këto faktorë mbyllën bizneset, ulën konsumin, larguan investitorët dhe prodhuan besimin më të ulët të bizneseve në rajon. Ndryshe nga ne dhe shumica mendon qeveria socialiste e cila ka gjithë këto ditë që përpiqet të na bindë që taksat e larta dhe shtrëngimi tek bizneset e vogla do të prodhojë parajsën ekonomike që ajo propagandon.” – shkruan Tabaku ndër të tjera.

 

Komenti i deputetes Tabaku:

Duan t’i vendosin TVSH-në biznesit të vogël, një kioske që mban me jetë dhe me para një familje apo më saktësisht 100 mijë bizneseve të vogla që ofrojnë produkte dhe shërbime që sot për sot janë përjashtuar nga TVSH. Në kundërshtim me çdo vend të rajonit, qeveria dëshiron të ulë pragun e TVSH-së në 0 lekë për biznesin e vogël që prodhon 0.5% të ardhurat e PBB-së. Duan t’i heqin bukën e gojës 40% të punësuarve në vend vetëm e vetëm për të kënaqur një sektor të caktuar të bizneseve.

Ne nuk jemi dakord! Kjo nuk është një masë formalizuese dhe as nuk do të prodhojë më shumë të ardhura për buxhetin e shtetit, në të kundërt do të rrisë më shumë shpenzimet administrative për Drejtorinë e Tatimeve. Gjithashtu do të rëndojë edhe xhepat e qytetarëve të cilët do të duhet të paguajnë më shtrenjtë për produktet e tyre që do të blejnë. Por, mbi të gjitha, kjo taksë deformon tregun dhe nuk lejon incentivën e lirë të qytetarëve.

Beteja e qeverisë Rama ka qenë përherë e drejtuar jo ndaj informaliteti por ndaj biznesit të vogël. Beteja e tij ka qenë e fokusuar në interesa të ngushtë personalë që janë fshehur përherë nga gjoja kauzat e drejta, pretendimi se kjo masë do të rrisë mbledhjen e të ardhurave është gënjeshtra e radhës e një staliniste me petkun e liberalit i cili në katër vite i rriti taksat me 1.5 mld USD për shqiptarët dhe mblodhi të ardhura njësoj sa qeverisja e taksës së sheshtë, 26% e PBB. Duke qenë niveli më i ulët i mbledhjes së taksave në rajon edhe sipas FMN-së.

Asnjë vend nuk ka mundur ta formalizojë ekonominë me dhunë e me dajak! Biznesi i vogël duhet konsideruar si bashkëpunëtor dhe jo si armik, si punëdhënës dhe jo si ilegali i radhës që duhet zhdukur.

Zjarr Tv Ad