Fieri, hambari i votave socialiste, që e ka humbur shkëlqimin e vet të dikurshëm për votat edhe për shkak të keqadministrimit, do të prodhojë edhe këtë herë surpriza, raporton newsbomb.al.
Ish-kreu i PS së Fierit, sot deputet i këtij qarku, Petro Koçi ka dalë hapur kundër rikandidimit të Armando Subashit në krye të bashkisë së Fierit.
Në një dalje publike Koçi thotë se kandidaturat për kryetar bashkie në Fier kanë qenë gjithmonë burra. “Besoj se ka ardhur koha për një kandidaturë grua. Ky është mendimi im. Por unë do të mbështes kandidaturën që do të përcaktojë PS” thotë Petro Koçi duke mos e përmendur në asnjë rast kryebashkiakun aktual.
Ndërkohë, kujton edhe bërrylat e bashkisë së Fierit kundër tij në zgjedhjet e 25 prillit 2021. “Nuk do të bëj atë që bëri një pjesë e administratës së bashkisë kundër meje” thotë Petro Koçi.
Ndasitë në Fier janë të dukshme. Kryebashkiaku aktual Subashi, më së fundi, u akuzua nga opozita për çështjen e inceneratorit të Fierit. Por, disa herë, ai është parë edhe në dyert e SPAK. Madje, prokuroria ngriti akuzë ndaj kryebashkiakut që nuk u mbështet nga gjykata.
Ndërkaq, gara për bashkitë është ndezur. Dhe në qarkun e Fierit, lufta duket se është më e ashpër, raporton newsbomb.al.