Vllaznia e femrave ka njohur ditën e djeshme emrat e kundërshtarëve për fazën e grupeve të Uefa Champions League. Atë që futbolli i meshkujve nuk e arriti dot për dekada të tëra e arriti Vllaznia e femrave e cila u kualifikua në mesin e 16 skuadrave më të mira të Europës.
Ekipi i drejtuar nga Nikolin Leka do të jetë pjesë e grupit A së bashku me Realin e Madridit, Chelsin dhe PSG. Qyteti i Shkodrës duket të jetë i destinuar për të shkruar historinë e futbollit në Shqipëri, fillimisht me klubin më të vjetër të futbollit në vend Vllazninë e 1919-ës.
Dhe tani me Vllazninë e femrave, klub i themeluar vetëm në vitin 2013 por që ka thyer cdo rekord në vend duke mos e diskutuar asnjëherë titullin kampion. Por edhe me këtë arritje historike e cila do të mbahet mend gjatë nga sportdashësit shkodranë dhe jo vetëm.
Shkodra është mësuar ta kthejë në festë çdo fundjavë kur në fushë zbret Vllaznia por kjo do të jetë një festë edhe më e madhe pasi në fushën e “Loro Boricit” do të zbresin emrat më të mëdhenj të futbollit europian. Vllaznia e femrave ka treguar se me punë dhe përkushtim mund të shkohet larg, një shembull ky që duhet ta ndjek jo vetëm futbolli por edhe të gjitha sportet në vend.
Klubi kuqeblu do ta nis udhëtimin europian më 20 tetor ora 18:45 pikërisht në “Loro Borici” përballë Realit të Madridit. Për të vazhduar më pas me transfertat në Londër e Paris në datat 26 tetor dhe 23 nëntor ku do të përballet përkatësisht me Chelsin dhe PSG-në. Takimet e kthimit do të luhen në muajin dhjetor ku fillimisht në datat 8 dhe 16 Vllaznia do të pres në shtëpi PSG-në dhe Chelsin. Ndërsa ndeshjen e fundit në grup do ta luaj në datën 22 në transfertën madrilene.