Presidenti Bajram Begaj ka shkruar këtë të martë një mesazh për 114 vjetorin e alfabetit të gjuhës shqipe. 22 Nëntori është pikërisht Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, e njësuar nga Kongresi i Manastirit.
Mesazhi i Presidentit Bajram Begaj:
114 vjet më parë, Kongresi i Manastirit do të shënonte një nga arritjet më të mëdha të historisë sonë kombëtare, duke njësuar alfabetin e gjuhës shqipe.
Për këtë arsye, sot festojmë Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke kujtuar me respektin më të madh të gjithë mendimtarët dhe atdhetarët që dhanë kontributin e tyre në përmbushjen e ëndrrës për të lëvruar e shkruar gjuhën shqipe me një alfabet të përbashkët.
Bashkë me alfabetin, ata na dhanë një mesazh kuptimplotë se çdo ndasi mund të tejkalohet, nëse punojmë me zemër e shpirt për kombin shqiptar. Le të urojmë sot njëzëri, ashtu si patriotët shqiptarë 114 vjet më parë: “Rroftë Alfabeti!”