Reagime të shumta ka sjellë vendimi i kryeministrit Edi Rama, i cili pas dhunës barbare në Fushë Krujë shkarkoi ministrin e Brendshëm Blendi Çuçin dhe në vend të tij propozoi Taulant Ballën.
Botuesi i Koha Jonë, Nikoll Lesi thotë se Çuçi ka bërë një punë shumë të mirë gjatë kohës që drejtonte këtë Ministri.
“Bledi Çuçi ishte ministër i mirë, ishte civil dhe aspak i përzier me grupe kriminale. Ministër si Çuçi, nuk ka patur ajo ministri e brendshme dhe nuk do të ketë, sepse nga natyra e tij ai ishte larg segmentëve kriminale. Në lidhje me anën profesionale si ministër e vendos kryeministri”, shkruan ai.
Ndër të tjera ai thotë se në lidhje me ngjarjen në Fushë Krujë, ku të afërmit e deputetit Rrahman Rraja dhunuan Bilbil dhe Jashar Majën, pasi këta të fundi ishin ankuar se shpërthimet me dinamit në guroren e vëllait të deputetit u ishin dëmtuar shtëpitë, përgjegjësi ka ministria e Mjedisit.
Lesi thotë se duhet të ishte shkarkuar nga detyra ministrja e Mjedisit, pasi ajo ka dhënë leje për guroren që solli dhe masakrën.
“Nëse vazhdojmë në këtë linjë logjike pyetja vjen natyrshëm: Ishte policia e shtetit që dha lejen e gurores apo ministria e mjedisit?! Pra duhej që firma e kryeministrit Rama të shkarkonte dhe ministrin e Mjedisit.
Ishte gurorja e dhënë prej tyre që solli masakrën, ndonëse ata kishin mbështetje shumë lart në politikë”, shkruan Lesi ndër të tjera.