Të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike kanë ngritur mesditën e sotme, një dron mbi godinën e Parlamentit, për të përcjell një mesazh.
“Parlamenti i krimit”, shkruhej në banderolën e ngritur nga demokratët, teksa në sallë zhvillohet seanca e radhës parlamentare.
Kjo banderolë vjen pasi ditën e sotme u betuan shtatë deputetët e opozitës së re, të cilët pranuan mandatin duke dalë kundër vendimit të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Në seancën e sotme parlamentare u betuan Elda Hoti e LSI, Erdiola Braha e LSI, Edlira Hyseni e LSI dhe Lefter Maliqi, Majlinda Halilaj, Ligoraq Karamelo, Alban Zenelin nga radhët e Partisë Demokratike.
Ndërkohë javën e kaluar morën mandatin në KQZ dhe më pas u betuan në Kuvend, Edmond Rushiti, Ylli Shehu, Enver Roshi dhe Ediola Braha në radhët e LSI.
Kujtojmë se qysh në krye të herës Lefter Koka i LSI refuzoi të djegë mandatin, ashtu si Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari e PD.