A duhet të shkonte Begaj në Athinë?

0
161
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Enton Abilekaj

Ftesa provokuese e Mitsotakis për Presidentin Begaj, ia arriti qëllimit. Do t’ja arrinte edhe në rast se Begaj do të shkonte atje, për të përfaqësuar vendin në një darkë – përvjetor të Deklaratës së Selanikut. E vetmja mundësi që qëllimi i ftesës të dështonte do të ishte qëndrimi në unison i palëve në Shqipëri.

Lideri i opozitës, Sali Berisha në një analizë të gjatë, e quajti sot “bojkot të Samitit”, refuzimin e Begajt, ndërsa e lidhi natyrshëm, provokimin e Kryeministrit të Greqisë me arrestimin e Belerit, si shkelje e ligjit, Kushtetutës dhe Konventave europiane.

E vërtetë është vetëm pjesa e fundit, që arrestimi i Belerit është bërë me urdhër të Ramës dhe, në shkelje të të gjitha ligjeve dhe konventave, mbahet në burg dhe nuk lejohet as të marrë detyrën, duke bërë formalisht betimin.

Përveç kësaj, konsiderimi si Samit i darkës informale në Athinë dhe si bojkot të BE-së, shmangien pa takt nga një provokim i qeverisë greke është në fakt përdorim politik i ngjarjes, pa patur parasysh pasojat e legjitimimit të një ndërhyrjeje brutale në politikën e brendshme të Shqipërisë.

E vërtetë që arrestimi i Belerit është një skandal i brendshëm, por dhënia e statusit të një incidenti të rëndë në raport me Greqinë, nuk i shërben as vendit as të vërtetës. Nga ana shqiptare, arrestimi nuk ka sfond etnik, Beleri nuk u arrestua si grek, por si një kandidat i opozitës që mund të prishte gjithë pazaret e pronave dhe ndërtimeve me dhe pa leje në bregdet. Rama vuri në lëvizje shtetin për të dhunuar votën e lirë dhe rezultatin e saj, jo se do fitonte një grek, por se do humbiste ai grup i vogël biznesmenë që ka favorizuar dhe ka në plan të vazhdojë t’i favorizojë.

Nga ana e Greqisë, presioni që po i bëhet qeverisë shqiptare, edhe me ftesën për darkën e nesërme, nuk lidhet me të drejtat e njeriut, me nivelin e demokracisë në vend, me korrupsionin galopant të qeverisë, apo me zgjedhjet e lira. Rama i ka bërë këto edhe përpara se të arrestohej Beleri, por Mitsotakis i erdhi për vizitë, në Dropull dhe Himarë dhe e bëri këtë në një periudhë zgjedhore për të dyja shtetet. Ai nuk do t’ja dijë sa demokratike është Shqipëria, a i plotëson kriteret për të ndjekur pa pengesa rrugën europiane.

Kriteri i vetëm është trajtimi i interesave greke dhe minoritetit grek. Rasti i arrestimit të Belerit është një rast ku, për axhendën e Mitsotakis, preken interesat e Greqisë, ndërsa për axhendën shqiptare abrogohen zgjedhjet me urdhër të nje njeriu, për të gllabëruar Himarën dhe asetet e saj. Për Greqinë është problemi i një shtetasi shqiptar me kombësi greke që është burgosur padrejtësisht, për Shqipërinë është një tjetër goditje e rëndë dhe e hapur për dëmokracinë dhe opozitën në favor të korrupsionit dhe pushtetit absolut.

Nëse opozita dhe oponenca do t’ ja lërë çështjen Beleri Greqisë, duke legjitimuar edhe dhunimin që kryetarët e dy bashkive më të mëdha të Greqisë, i bënë sovranitetit të vendit, apo edhe keqpërdorimin e influencës në BE për ta izoluar Shqipërinë për një arste jothelbësore, atëherë nuk do të fitojë as vendi dhë as opozita. Sepse Rama, si gjithmonë, ka vënë në peshore interesat e tij në Himarë kundër interesave në marrëdhëniet me Greqinë dhe me opinionin publik. Kur pesha e së dytës do të bëhet më e madhe se e të parës, Beleri do jetë i lirë. Kështu Greqia do ta ketë fituar legjitimitetin e ndërhyrjes flagrante për interesat e veta dhe Mitsotakis do përqafohet prapë me Ramën ndërsa ai shkallmon demokracinë.

Askush nuk e ndalon dot Greqinë ta trajtojë si interes të vetin çështjen Beleri, por ky interes nuk lidhet fare me kauzën e vërtetë të çështjes Beleri në Shqipëri. Askush nuk e ndalon dot qeverinë greke të bëjë ftesa provokuese, por e vetmja mënyrë që Shqipëria të mos dëmtohet, është që ftesat të refuzohen në unison nga palët politike, aq më tepër nga ata që prej 2 vjetësh flasin për sovranitetin. Me parimet dhe me kauzat e drejta dhe jo me flirtimet për interesat e momentit, mund të fitohet besimi i publikut.

Zjarr Tv Ad